Në Kolegjin AAB filloi aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut

Prishtinë | 10 Maj 2017 | 16:24 | Nga

Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, në bashkëpunim Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGj), në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, sot në ambientet e Kolegjit AAB, e filluan aksionin një ditorë për dhurimin vullnetar të gjakut nga studentët dhe stafi i këtij institucioni, nën moton: “Dhuro gjak, shpëto jetë”.

Që në fillim u vërejt një gatishmëri e madhe e studentëve, stafit akademik dhe punonjësve tjerë të këtij institucioni, por edhe e qytetarëve të tjerë jashtë AAB-së për këtë aksion.

Studentja Albiona Plakiqi tha se do të dhurojë gjak sa herë të jetë nevoja: “Duke e marrë parasysh që në Kosovë çdo ditë e më shumë po rritet numri i aksidenteve, po në të njëjtën kohë edhe kërkesat për gjak po rriten, unë si person i shëndetshëm kam mundësi të jap gjak për të shpëtuar një jetë”.

Po ashtu Yllza Hajdari dhe Granit Haliliu shprehën se “jemi duke  studiuar në Fakultetin e Infermierisë,e infermierët e kanë për profesion t’i shpëtojnë jetët e të tjerëve dhe dhurimi i gjakut është i mirë për shëndetin e organizmin tuaj”.

“Ndër të parët që na kanë hapur dyert për këtë aksion është Kolegji AAB  stafi i këtij institucioni na kanë pritur mirë, por edhe përgjigja e dhuruesve për të dhënë gjak është e kënaqshme”, u shpreh menaxherja e Zyrës për Informim në QKKTGj, Melania Gjocaj.

Ndërsa, doktoresha Blerta Mehmeti, e cila bën kontrollet e dhuruesve, bashkërisht me ekipin e saj, është shumë e lumtur për kontributin e studentëve dhe stafit të AAB-së, në aksionin për dhurimin e gjakut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme