Në Kolegjin AAB filloi punimet Konferenca Shkencore e Arteve dhe Arkitekturës në kuadër të “PAAF2019”

Prishtinë | 23 Maj 2019 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e dytë të festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival” PAAF2019, në Kolegjin AAB, po zhvillon punimet Konferenca Shkencore e Arteve dhe Arkitekturës, ku me punimet e veta po marrin pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia e Sllovenia.

Në hapje të kësaj konference, prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, theksoi se festivali PAAF është edhe një dëshmi e përkushtimeve serioze që bën Kolegji AAB.

“AAB-ja ka krijuar një harmoni optimale ndërmjet mësimdhënies universitare, krijimit dhe kërkimit shkencor, ndërsa studentët në këtë ambient kanë lehtësinë të ndërlidhin pjesën teorike me kërkimin shkencor, por edhe me praktikën apo edhe kërkimin aplikativ siç po zbatohet në disa programe tona, përfshirë edhe nga programet e artit dhe arkitekturës”, tha prorektori Saliu.

Ai shtoi se Kolegji AAB përveç që është institucioni më i madh nga të gjitha institucionet e iniciativës jopublike në rajon, tashmë AAB-ja është bërë një strumbullar rajonal i organizimeve dhe konferencave shkencore, ku trajtohen problemet në shoqëri në mënyrë të fokusuar dhe me konferenca të profilizuara.

Hapjen e konferencës së arteve dhe arkitekturës e përshëndeti edhe Drejtori i Bordit të festivalit, Prof. Shyqri Nimani, i cili theksoi se AAB-ja gjithmonë ka dëshmuar se është përkrah këtyre iniciativave nga të cilat studentët gjithmonë përfitojnë.

“Është një gjë e mrekullueshme, që një nismë e madhe që ka filluar vitin e kaluar të vazhdojë ende, sepse nuk është aq e vështirë të krijosh një ide sa është ta mirëmbash atë, dhe mendoj që universiteti ynë është i fuqishëm dhe çdo nismë që e ka filluar e ka zhvilluar dhe e ka mbajtur që të vazhdojë edhe më tutje”, shtoi Nimani.

Konferenca e arteve dhe arkitekturës po vazhdon punimet e saj, me prezantimin e punimeve ku i pari filloi Dr. Andrea Grilleto nga Italia me temën “Methodologies and measurement instruments for a sustainable Restoratin of Historic Buildings” pastaj vazhdoi Dr.Sc. Bujar Demjaha me temën “Sfidat dhe dështimet në Lagjen Pejton në Prishtinë” duke vazhduar edhe me prezantime të tjera nga vende tjera.

Vlen të përmendet se në kuadër të festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival” PAAF2019,   në ditën e tij të dytë, krahas konferencës dhe Kolonisë së arteve, edhe studentët e Dizajnit të Modës do sjellin kreacionet e tyre nën titullin e punës “Tulipan” dhe nën përkujdesjen e mësimdhënësve Flutura Dedinja dhe Krenare Rugova. PAAF2019 do vazhdojë edhe ditën e nesërme, 24 maj, me aktivitete të ndryshme në hapësirat e Kolegjit AAB.

Të ngjashme