Në Kosovë cdo ditë duke u gjetur mish i prishur

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 13:27 | Nga

Përderisa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës vazhdimisht tha se produktet e mishit në Kosovë, janë të sigurta, thuaja çdo ditë nëpër qytetet e Kosovës, zbulohej mish i prishur. Prokuroria mund ta konsiderojë këtë si mashtrim të opinionit dhe t’i zgjerojë hetimet.

Në kohën e zbulimit të skandalit të mishit të prishur nga Belgjika, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka deklaruar se ai mish ishte zbuluar dhe nuk ishte lejuar të hynte në Kosovë. Shefi i Agjencisë, Valdet Gjinoci në kohën e shqetësimeve të ngritura të qytetarëve, deklaronte se produktet e mishit në Kosovë janë të sigurta. Megjithatë, menjëherë pas, thuaja përditë u zbuluan mijëra kilogramë mish të prishur në markete, nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, që nga Mitrovica, Ferizaj e Prizreni. Për udhëheqësin e organizatës “Konsumatori” Selatin Kacaniku, këto deklarata janë alarmante:

“Deklarimet për ushqim ose për mish të sigurt derisa po dëshmohen raste të reja, për ne si konsumator natyrisht se këto raste të shumta janë alarmante”.

Kurse vet shefi i Agjencisë së Ushqimit Valdet Gjinoci, në pyetjen direkte se si menjëherë pas deklarimeve të tij se produktet e mishit në Kosovë janë të sigurta, ka ndodhë që të zbulohen me tonelata mish të prishur nëpër markete, tha.

“Fusha e sigurisë ushqimore është fushë komplekse, mirëpo edhe operatorët e biznesit janë të obliguar që të respektojnë masat e vetëkontrollit”.

E eksperti ligjor Mazllum Baraliu thotë se institucionet e ndjekjes duhet të merren me këto deklarata pasi që paraqesin rrezikim të shëndetit të gjithë popullsisë së Kosovës.

“Jam i prirur të besoj që institucionet e ndjekjes do ta bëjë punën e duhur dhe në këtë rast meqë është fjala për rrezikimin flagrant të gjithë popullsisë së Kosovës, të gjithë konsumatorëve të cilët po konsumojnë këtë artikull, atëherë do të duhej të ndërmerreshin masa ligjore”, thotë Baraliu.

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren, Admir Shala, në pyetjen se a mund të konsiderohet mashtrim I opinionit kur nga Agjenci e Ushqimit deklarohet se mishi është I sigurt, e të nesërmen zbulohen me mijëra kilogram mish të prishur në treg, u përgjigj.

“Tashti nuk po mundem me u deklarua më tepër, sepse ne jemi në fazën e hetimit, mirëpo nëse hasim që inspektorët e AVUK-ut nuk e kanë kryer punën si duhet dhe nuk kanë veprua konformë ligjit, apo nuk e kanë parandalua një gjë të tillë, e kanë qenë në njohuri, besoj se do të zgjerohen hetimet”.

Ndryshe, kryeprokurori Shala theksoi se sipas hetimeve të deritashme, mishi i prishur nuk është futur në Kosovë, por ai mish i zbuluar është prishur ndërkohë, pasi i ka kaluar afati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme