Në kuzhinat e FSK-së hanë bukë falas zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Me Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës është e përcaktuar që pjesëtari aktiv i FSK-së ka të drejtë për së paku një racion të ushqimit, gjatë secilit orar të plotë të punës, shkruan Gazeta Infokus.

Mirëpo, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në kuzhinat e FSK-së janë ushqyer me nga një racion edhe stafi civil i Ministrisë së Mbrojtjes.

“Te kontrata e lidhur për Shërbimet e ushqimit (furnizim, përgatitja dhe servimi) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ku vlera e shpenzimeve për vitin 2020 ishte 2,218,317€, kemi vërejtur se përveç pjesëtareve aktiv të FSK-së të cilët kanë të drejt ta shfrytëzojnë një racion të ushqimit, në kuzhina janë ushqyer me nga një racion edhe stafi civili të cilit sipas ligjit nuk i takon të ushqehet në kuzhinë. Çmimi i një racioni është 4.75€ dreka, ndërsa racionet për mëngjes 1.26€ dhe darka 2.78€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ndonjë arsye pse stafi civil e shfrytëzon të drejtën e ushqyerjes në kuzhina dhe pse janë paguar këto shpenzime.

Shfrytëzimi i kuzhinës së FSK-së nga stafi civil, sipas ZKA-së ndikon në rritjen e numrit të racioneve të ushqimit dhe kryerjen e pagesave të parregullta nga ministria.

ZKA ka rekomanduar që ministri të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar se shërbimet e kuzhinës do të shfrytëzohen vetëm nga pjesëtarët aktiv të FSK-së ashtu siç e parash Ligji e jo edhe nga stafi civil.

“Ministria nuk kishte hartuar ndonjë akt të veçantë nënligjor që ka të bëjë me monitorimin e stafit që ushqehen në kuzhina. Ne kemi vërejtur se menaxheri i kontratës i pranon kërkesat nga njësitë kërkuese për numrin e personave që do të ushqehen nëpër kuzhina dhe në bazë të numrit të pranuar, i bënë kërkesë kuzhinave për racionet që duhet të përgatiten”, thuhet në raport.

ZKA ka gjetur se Ministria nuk e ka ndonjë mekanizëm monitorues për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhinat e FSK-së, respektivisht nuk bën ndonjë kontrollë/verifikim nëse po ushqehen të gjithë personat sipas porosive që bëhen nga menaxheri i kontratës.

Operatori ekonomik thuhet se faturimin e bënë sipas porosisë për numrin e personave të pranuar nga menaxheri i kontratës.

Kjo ka ndodhë si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme në ministri për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kuzhinave.

Mungesa e një monitorimi për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhina, sipas ZKA-së, mund të ndikoj që ministria të bëjë pagesa përtej nevojave reale të stafit.

Ministri obligohet të hartoj aktet e veçanta nënligjore me të cilat rregullohet procedurat për monitorimin e kuzhinave në FSK në mënyrë që të evitohen keqpërdorimet e mundshme në procesin porosisë dhe marrjes së shërbimit./Gazeta Infokus

Të ngjashme