Në Lipjan përurohet shtatorja e Heroit të Kombit, Ismet Asllani

Lipjan | 14 Qer 2018 | 12:35 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Ditën e Çlirimit të Komunës së Lipjanit, në oborrin e shkollës “Vëllezërit Frashëri” është mbajtur akademi përkujtimore për dëshmorët e kësaj komune, ku me këtë rast është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kombit, Ismet Asllani.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka kujtuar veprimtarinë e Asllanit, duke shtuar se fakte historike janë përgjegjësi dhe çfarëdo që bëjmë duhet të bëjmë për dëshmorët, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se ky përvjetor në Lipjan shënohet në kalendarin e ngjarjeve të veçanta sepse në nderim të dëshmorëve do të përurohet shtatorja e Ismet Asllanit.

“Sot natyrshëm jemi tubuar në shënimin e kësaj dite të dëshmorëve të komunës sonë të nderojmë dëshmorët se si sot e përherë do të nderohen dëshmorët sepse ata faktuan me gjakun e tyre lirinë e vendit tonë. Ky përvjetor në Lipjan shënohet në kalendarin e ngjarjeve të veçanta në komunën tonë sepse sot në nderim të dëshmorëve do të përurohet shtatorja e Ismet Asllanit”, tha Ahmeti.

“Shtatoret e heronjve dhe personalitetet e tilla nuk duhet t’i shohim vetëm si histori, por këto fakte historike për ne janë përgjegjësi dhe çfarëdo që bëjmë duhet të bëjmë për ta më së shumti mund ta quajmë mirënjohje dhe respekt por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të krahasojmë që kemi bërë diçka për shkak të kontributit të tyre e në rastin konkret me heroin Ismet Asllani”, tha Ahmeti.

“Jemi të vetëdijshëm qe deri më sot ne përsëri i mbetemi borxh dhe asnjëherë nuk do të lejojmë vetën të vetëkënaqemi me punën tonë, kemi arrit të jetësojmë idealet e Ismetit, vëllezërve të tij, gjithë dëshmorëve andaj uroj që ky vend dhe kjo shoqëri përsëri në mesin e saj të lind burra si Ismeti dhe dëshmorët e tjerë”, shtoi Ahmeti.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se nuk ka gjë më të njerëzishme dhe më kuptimplotë se sa kur të përjetësohet kujtimi dhe sakrifica e dëshmorëve.

“Gjatë historisë të jetës së shqiptarëve kishte kohë të rënda dhe tragjike, por pos kësaj kishte edhe kohë të lavdishme që lënë shenja të kujtesës në historinë kombëtare. E tillë është sot festa e Ditës se Çlirimit të Lipjanit dhe përjetësia në lapidar e dëshmorit të kombit Ismet Asllani”, tha Jashari.

Përfaqësues i familjes Asllanit, Blerim Asllani falënderoi kryetarin e komunës për nderin qe iu është bërë heroit dhe familjes së tij me përurimin e shtatores së tij, raporton EO.

“U fol shumë sot për Ismetin por më së miri flasin veprat e tij, flet historia për të, flet kjo shtatore sot në Lipjan. Sot me Ismetin krenar është familja, krenar nga varri janë vëllezërit e tij, krenar është djali i tij Albani dhe krenar me të është Gollaku, Lipjani dhe gjithë Kosova”, tha Asllani.

Në fund të programit për të pranishmit u prezantua një recital nga artisti i mirënjohur Mirush Kabashi.

Të ngjashme