Në mbështetje të grave për hapjen e bizneseve të tyre

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Që nga paslufta në Kosovë, Shqipe Delija nga Gjakova është marrë me punimin e veshjeve tradicionale, e angazhuar si punëtore e zellshme në biznese të ndryshme.

Ndonëse para luftës ajo kishte përfunduar Shkollën e Lartë për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Delija, për më shumë se 20 vite i është përkushtuar me shumë zell talentit të saj për qëndisje tradicionale të veshjeve.

Ajo është e riatdhesuar nga Suedia dhe pas kthimit në Kosovë, asnjëherë nuk i ishte ndarë punës mirëpo qëllimi i saj kishte qenë që të posedonte biznesin e saj personal, për të vazhduar punën që ajo e do dhe e zotëron.

Ëndrra e Deliajt u realizua vitin e kaluar ku ajo arriti të përfitonte nga Programi i Vetëpunësimit, të mundësuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)- Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, që i ndihmoi asaj në hapjen e biznesit personal të cilin e kishte ëndërruar dhe planifikuar gjithnjë.

Ani pse Delija nuk kishte arritur të siguronte një lokal për biznesin e saj, ajo kishte vendosur të mos hiqte dorë nga ëndrra për biznes dhe punëtorinë e ka modifikuar në shtëpinë e saj në Gjakovë, aty ku çdo ditë punon pa lodhje dhe e motivuar. Në këtë kohë të përballjes me pandeminë COVID-19, Delija ka ulur paksa intensitetin e punës në qëndisjen e veshjeve tradicionale dhe ka orientuar gjithë angazhimin e saj në qepjen e maskave mbrojtëse.

Delija është shndërruar në motivimin për familjen e saj dhe një model për tu ndjekur nga të gjitha gratë që ëndërrojnë që aftësitë e tyre në lëmi të ndryshme, t’i shndërrojnë në profesion profitabil, respektivisht biznes personal.

Si përpjekje për të zgjeruar edhe më shumë mundësitë për punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë, me fokus gratë në biznes, MPMS-APRK në bashkëpunimin me UNDP ka shpallur të hapur Programin për Vetëpunësim për punëkërkues të riatdhesuar, i cili po vazhdon të jetë i hapur deri më 16 shtator 2020.

Paralelisht, po vazhdon të jetë i hapur për aplikim edhe Programi për Subvencionimin e Pagës si dhe Programi për Trajnim në Punë për persona të riatdhesuar, po ashtu deri më 16 shtator 2020.

Për më shumë informata rreth procedurës së aplikimit, si dhe të gjitha informacionet relevante, luteni të vizitoni adresat elektronike; https://mpms.rks-gov.net/shpallje/publikime/ ose https://aprk.rks-gov.net/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme