Në Morinë zyrtarët s’kanë maska! Dezinfektimin e ka bërë vetëm pala kosovare

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Efektivët e Policisë kufitare në qarkun e Kukësit nuk janë pajisur me maska mbrojtëse kundër koronavirusit edhe pse janë në vijën e parë të personave të kontaktit me personat që mund të rezultojnë të prekur.

Alarmin e ka ngritur drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Zija Sula, i cili tha se edhe dezinfektimin e pikave kufitare e ka bërë vetëm pala kosovare.

Sula: Detyrimin kryesor për furnizimin me bazë materiale për punonjësit e pikave të kalimit e kanë institucionet e shëndetit publik në qarqe, faktikisht ne këtë asistencë nuk e kemi marrë deri tani.

Shqipëria ka pezulluar udhëtimet drejt Italisë nga deti dhe ajri, ndërsa lëvizja nga pikat tokësore vijon normalisht.

Në Kapshticë këtë të martë hyri një shtetas kinez i cili vinte nga Selaniku, por ishte i pastër nga virusi.

“Jam nga Kina. kam një muaj  e tre javë që jam në udhëtim në Europë. Po vij nga Selaniku, një tjetër vend i prekur nga koronavirusi. Personalisht jam mirë, e kam kontrolluar veten  dhe po zbatoj masat. Jam i frikësuar ndaj nuk takoj shumë njerëz dhe nuk dal në hapësira publike. Gjendjen në Kinë e mësoj përmes medias. Atje situata po përmirësohet. Por tani i frikësohem virusit edhe në Europë”.

Udhëtarët në hyrje i nënshtrohen kontrollit të rreptë.

“Akoma më të forta duhet të jenë masat”.

Lëvizja në pikat kufitare tokësore me Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën konsiderohet normale./oranews

Të ngjashme