Në Prishtinë, prilli i këtij viti më i nxehti që nga Lufta e Dytë Botërore

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 15:20 | Nga
Ditëve të fundit ka qenë lajm se në Austri, nga Instituti Qendror meteorologjik dhe gjeodinamik është vërtetuar që muaji prill i vitit 2018 ishte më i nxehti që nga viti 1800.

“Sipas analizave preliminare rezulton që edhe në Prishtinë ky prill është më i nxehti që nga paslufta e dytë botërore, shënime të cilat ekzistojnë për Prishtinën”, ka thënë meteorologu, Mendim Rugova.

“Temperatura mesatare mujore e prillit deri më tani (28.04) është 14.6C ose 4.7C më e lartë se mesatarja mujore për periudhën 1961-1990 që është 9.9C. Muaji prill i vitit 2016 deri më tash ishte më i nxehti me mesatare mujore prej 13.8C dhe temperaturë maksimale që arriti deri në 29C.
Po sipas këtyre shënimeve, prilli i vitit 1997 ka qenë më i ftohti, me mesatare mujore prej vetëm 4.6C, ku karakteristikë e këtij viti ishte një valë e të ftohtit që zgjati për pothuajse 20 ditët e para të muajit, dhe temperatura minimale zbriti deri në -6.5C”, ka shkruar Rugova në Facebook.

Në diagramin e bashkangjitur keni temperaturat mesatare mujore (gjelbërt), minimale mesatare (kaltërt), maksimalet mesatare (kuqe) për shënimet nga viti 1949. Me vija të ndërprera janë mesataret për periudhën 1961-1990, ndërsa me vijëzim më të hollë janë trendet pesë vjeçare të temperaturave. Për këtë analizë jam shërbyer me shënimet nga vjetarët meteorologjikë të ish-Jugosllavisë deri më 1998, ndërsa nga viti 2000 janë shënime të përpunuara nga raportet meteorologjike nga Shërbimi meteorologjik i Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme