Në shtatë komuna të Kosovës, “orë policore” pas orës 19:00

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 12:40 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.

Kurse, aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna, raporton Ekonomia Online.

Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.

Këto komuna janë cilësuar me rrezik të lartë të infeksionit pasi kanë mbi 150 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.

“Jemi duke kaluar në situatën më të vështirë në 20 vjetët e fundit. Kjo situatë krahasohet vetëm me luftën. Kërkojmë mirëkuptimin e secilit. Nuk mund ta mbyllin shtetin komplet pasi do të ishte fatale, por masat do të na çojnë për një javë në shifra më të mira”, tha Hoti.

Kryeministri, i cili shoqërohej dhe nga ministri i Shëndetësisë, theksoi se situata me pandeminë në Kosovës është tepër e rëndë.

“Pesëdhjetë për qind nga testimet dalin pozitivë dhe fatkeqësisht edhe numri i rasteve fatale është në rritje”, tha Hoti, duke shtuar se projeksionit që ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, janë mjaft pesimiste dhe shqetësuese. Duhet të kujdesemi që të ndalohet kjo të menaxhojmë situatën dhe të ju mundësojmë stafit shëndetësor të kenë mundësinë të përballojnë fluksin e atyre që kanë nevojë për shërbime shëndetësore, ndryshe e kemi të pamundur të përballojmë situatës”, tha Hoti.

5 komuna në “zonën e gjelbër”

Në “zonën e gjelbër” hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.

Në këtë zonë aktualisht janë: Istogu, Malisheva, Rahoveci, Skenderaj dhe Dragashi. Në këto komuna, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.

Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në “zonën e portokalltë”, lejohet shërbimi “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.

Në këtë zonë, hyjnë të gjitha komunat tjera që nuk janë pjesë e zonës së kuqe dhe të gjelbër (pra shumica e komunave të Kosovës).

Hoti paralajmëron mbyllje për ata që nuk i zbatojnë masat

Kryeministri Hoti ka paralajmëruar se çdo institucion ose operator ekonomik që nuk i zbaton masat do të ketë mbyllje për tre muaj.

“Nëse një dyqan, nëse një qendër tregtare e të tjera nuk i zbaton masat me këtë vendim dhe masat tjera do të këtë mbyllje totale për ato biznese së paku për tre muaj”.

Kryeministri Hoti ka bërë të ditur se është marrë vendim që arsimi i lartë të kalojë në mësim online.

Sipas masave të reja, në pikat kufitare do të vendosen ekipet mjekësore për kontrollin e qytetarëve që hyjnë në Kosovë.

Po ashtu, komunat do të ngrenë shtabet emergjente, me qëllim që të mbikëqyret situata epidemiologjike.

Vendimi për masat e reja do të votohet formalisht në mbledhjen e Qeverisë. Hoti tha se këto masa janë të bazuara në Ligjin anti-Covid.

Të martën, në Kosovë janë shënuar 596 raste të reja me Coronavirus dhe pesë viktima. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në 25 388. Nga fillimi i pandemisë në mars, 773 veta kanë vdekur.

LEXO EDHE:

Të ngjashme