Në Spitalin e Ferizajt, pos Kirurgjisë, të gjitha repartet në dispozicion për pacientët me Covid

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 21:30 | Nga Ekonomia Online

Ka shkuar mbi 500 numri i rasteve aktive me Covid-19 në Komunën e Ferizajt.

Ndërkaq, në Spitalin Rajonal përveç repartit të Kirurgjisë, të gjitha hapësirat e tjera janë shndërruar në reparte infektive.

Shtabi emergjent i kësaj komune ka nisur përgatitjet që hapësirat spitalore të zgjerohen edhe në objektet e QKMF-së dhe në disa objekte shkollore.

“Në qoftë se kemi një përshkallëzim të situatës, atëherë do ta fillojmë trajtimin e pacientëve në një Qendër të mjekësisë familjare në fshatin Nerodime dhe opsioni tjetër është një shkollë në fshatin Lloshkobare”, ka thënë Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit në Ferizaj.

Në Komunën e Ferizajt kanë kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat.

“Pengesa kryesore ka qenë mungesa e kapaciteteve spitalore, në këtë rast kryetari i Komunës në të kaluarën, por edhe tani e ka planin që të veprojë në rritjen e hapësirave spitalore në shërbim të qytetarëve të shtrirë në spital për t’u kuruar nga ky virus, ne në të kaluarën kemi marrë vendim që disa nga pjesët e hapësirave të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare t’i jepen në shfrytëzim të Spitalit po ashtu edhe të disa institucioneve të tjera”, ka pohuar Albion Sherifi, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.

Që nga fillimi i pandemisë në këtë komunë janë infektuar rreth 4 mijë qytetarë, ndërkohë janë regjistruar gjithsej 111 vdekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme