Në tri komuna nuk shqiptohet asnjë gjobë për moszbatim të masave të reja anti-Covid

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët komunalë të Podujevës, Fushë-Kosovës e Obiliqit thonë se qytetarët dhe bizneset janë duke i respektuar masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë kundër COVID-19.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, thotë se deri pasditen e së mërkurës, inspektorët nuk kanë pasur nevojë të shqiptojnë ndonjë masë ndëshkuese.

“Sa i përket zbatimit të masave të reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së Covid-19, jemi të kënaqur, deri më tani ato po zbatohen pothuajse në tërësi në Komunën tonë. Inspektorët e Komunës së Podujevës bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdimisht janë duke kryer inspektime në terren lidhur me zbatimin e masave të reja. Ndërsa deri më tani sipas informatave që kemi pranuar nga inspektorët në terren, nuk është shqiptuar ende ndonjë gjobë ndëshkuese për shkelësit e masave anti COVID”, ka thënë Zhitia.

Edhe inspektori sanitar në Komunën e Fushë-Kosovës, Blerim Berisha, ka thënë se masat e reja anti-Covid janë duke u respektuar.

“Deri tash ishim në terren dhe 99 për qind janë duke u respektuar masat. Ka kafiteri të vogla që nuk janë hapur fare dhe nuk ofrojnë as shërbimin ‘merre me veti’. Ndërkohë, ato që ofrojnë edhe ushqim në përgjithësi janë duke i respektuar masat. Sa i përket qytetarëve, po i përdorin maskat, por ka raste që nuk i vendosin siç është e paraparë. Sot kemi shkuar më shumë me vërejtje pasi ka qenë dita e parë e hyrjes në fuqi të masave të reja. Ndërsa, inspektorët e Ministrisë nuk e di a kanë shkruar gjoba”, ka thënë inspektori sanitar.

Të kënaqur me zbatimin e masave nga qytetarët dhe bizneset janë shprehur edhe në Komunën e Obiliqit. Zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Arba Mirena, ka thënë se gjatë ditës së mërkurë i kanë njoftuar bizneset me masta e reja të MSH-së.

“Për informimin tuaj, të gjithë mekanizmat anti-Covid-19 të Shtabit emergjent të Komunës së Obiliqit janë në funksion dhe në koordinim të plotë për të menaxhuar situatën me Covid-19. Zyrtarët e inspektoratit komunal gjenden në teren ku fillimisht kanë njoftuar bizneset dhe gastronomitë me masat e reja të dalura nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MSH-ja. Sipas raportimeve të gjendjes në teren, në Obiliq po zbatohen masat e reja në parandalim dhe luftim të pandemisë Covid-19”, ka thënë Arba Mirena.

“Ju bëjmë thirrje dhe kërkojmë mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe bizneseve që të respektohen të gjitha masat të cilat janë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të secilit prej nesh. Njëkohësisht, ju njoftojmë se sot ka filluar vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë të komunës së Obiliqit”, ka thënë ajo./Koha

Të ngjashme