Në UBT apelohet për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Dhuna në familje është fenomen i përhapur në çdo vend të botës, por në trojet shqiptare dhuna më evidente është ajo me bazë gjinotr, qoftë psikologjike, fizike ose ekonomike, e nga të cilat në 95% të rasteve pësojnë vajzat dhe gratë.

Në Kosovë, në mijëra raste të denoncuara në polici, mbi 1200 prej tyre pre e dhunës në familje kanë rënë gratë, ndërkaq në 12 raste është ushtruar dhunë ndaj burrave.

Kjo u tha në diskutimin më temë “Promovimi i qasjes në drejtësi për gratë dhe grupet e cenuara  dhe të margjinalizuara”, që aktivistët për të drejtat e njeriut e bënë me studentët e UBT-së, në kuadër të fushatës globale,“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Dr. Jorida Xhafaj, dekane në Fakultetin Juridik në UBT, tha se aktivizmi i tillë paraqet një hap të madh të bërë për luftimin e kësaj dukurie, që më së shumti ndikon dhe dëmton jetën e grave dhe vajzave, teksa shtoi se mentaliteti i rrënjosur në mendje ndër shekuj, e vështirëson ndikimin që mund të kenë ligjet.

“Shpeshherë përballjet me mentalitetin dhe konceptet shoqërore e bëjnë edhe më të vështirë operimin me mekanizmat  e parashikuara me ligje. Në këtë luftë për çrrënjosje të dhunës, UNDP është një nga organizmat ndërkombëtarë që po bënë punë të madhe në Kosovë, e ky aktivitet është pasqyrim i kësaj pune”, vlerësoi ajo.

Këshilltarja në UNDP, Virgjina Dumnica theksoi se dhuna në familje nuk përbën vetëm dhunën e ushtruar ndaj vajzave dhe grave, megjithatë sipas saj, ato janë gjithmonë më të predispozuara për të qenë viktima të kësaj dukurie negative.

“Në kuadër të aktivitetit “16 ditë aktivizmi”, me qëllim të parandalimit të dhunës në baza gjinore dhe të ndihmës për të cilën kanë nevojë viktimat. Inicimi i një ngjarjeje të tillë do t’i ndihmojë institucionet vendore dhe shoqërisë civile për luftën kundër dhunës”, potencoi ajo.

Zyrtarja për Barazi Gjinore nga UNDP, Brikena Hinterberger u shpreh se, ndonëse aktiviteti “16 ditë aktivizmi” organizohet në nivel global, megjithatë sytë janë gjithmonë nga Kosova, për faktin se këto dukuri negative që e prekin përditshmërinë e vajzave dhe grave, janë më të shprehura në vendin tonë.

“UNDP punon çdo ditë kundër këtij fenomeni dhe çdo fenomeni tjetër negativ në shoqëri, që e ngadalëson zhvillimin e shoqërisë, dhe këtë e arrijmë duke bashkëpunuar me të gjithë akterët në Kosovë, të cilët merren me luftimin e të njëjtave dukuri negative”, u shpreh ajo.

Hinterberger, po ashtu, apeloi tek studentët dhe të pranishmit tjerë që të raportojnë dhunën kudo që e shohin ose që dëgjojnë për të, sepse një dhunë sado e vogël në dukje, mund të përfundojë me tragjedi.

Eksperiencën dhe punën e kryer për luftimin e dhunës në familje e dha edhe këshilltari ligjor nga Organizata Joqeveritare, “CLARK”, Anton Nrecaj, i cili vuri në pah rëndësinë e ofrimit të shërbimeve juridike falas, në fokus të të cilave janë grupet e margjinalizuara.

“Organizata jonë për vite të tëra ofron shërbime juridike falas për të gjithë qytetarët të cilët nuk mund të paguajnë avokatë. Këta qytetarë kryesisht bëjnë pjesë në grupe të margjinalizuara dhe të cenuara. Me aktivitetin tonë kemi arritur të ndryshojmë kornizën ligjore sa i përket dhunës në familje”, tha ai.

Nrecaj përmendi rastin e dhunës në familje që përfundoi me tragjedi, vrasjen e Diana Kastratit nga ish-bashkëshorti i saj, ku nga Gjykata Kushtetuese si fajtor u cilësua shteti, që ka dështuar t’ia ofrojë mbrojtjen elementare viktimës tashmë të ndjerë.

Koordinatorja Nacionale në Policinë e Kosovës, Tahire Haxholli, përmes një prezantimi të detajuar përmendi dhe shpjegoi me statistika e fakte pasojat që shkaktohen nga ushtrimi i dhunës, teksa numëroi edhe arsyet që i shtyjnë viktimat drejt vendimit për tërheqjen e denoncimeve të dhunës. Me këtë rast, ajo potencoi faktin se në 95% të rasteve të ushtrimit të dhunës në familje, pre e kësaj dukurie janë vajzat dhe gratë, prandaj edhe i inkurajoi pjesëmarrësit që të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë dhunën në çdo rast kur kanë njohuri.

“Shteti ka ngritur infrastrukturë ligjore dhe institucionale, në mënyrë që t’i mbrojë viktimat, ta sjellë kryerësin e veprës para organeve të drejtësisë, të rehabilitojë viktimat, si dhe marrë masa që të parandalojë ushtrimin e dhunës, por duhet të bashkëpunojmë më shumë për të arritur në rezultatet e dëshiruara për të gjithë”, u shpreh ajo.

Haxholli konstatoi se suksesi nuk mund të arrihet asnjëherë nëse nuk ka bashkëpunim ndërmjet qytetarëve dhe policisë, prandaj i inkurajoi pjesëmarrësit që çdoherë kur kanë edhe një informacion sado të vogël për ushtrim të dhunës, të lajmërojnë në mënyrë automatike Policinë e Kosovës.

Për të shprehur historinë e saj të suksesit, por edhe sfidat me të cilat është përballur për shkak të pabarazisë me bazë gjinore, fjalim mbajti alpinistja e njohur dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Uta Ibrahimi, e cila ndau përvojën të ngjitjes në Everest, me ç ‘rast tregoi se rrugëtimi drejt kësaj të arriture ka qenë jashtëzakonisht sfidues, kryesisht për vetëm për shkak të gjinisë së saj.

“Ngjitja në Everest ka qenë një ngjarje që përfundimisht më ka bërë të bindur se duhet të luftohet pabarazia ekzistuese në Kosovë, nisur nga fakti që pikërisht ekipi i Kosovës që planifikonte të ngjitej në Everest më ka larguar nga ekipi, vetëm për shkak të gjinisë”, potencoi ajo.

Ajo i këshilloi të rinjtë që të bashkohen sepse vetëm duke punuar së bashku mund të zhvillohet vendi dhe të ndryshohet mentaliteti, sepse dhuna ndaj grave nuk është vetëm dhunë ndaj tyre, por është dhunë ndaj shoqërisë.

Diskutimi u përmbyll me pyetjet e studentëve, ligjëruesve dhe gazetarëve të pranishëm, që kishin të bënin me bashkëpunimin ndërmjet mediave dhe policisë, ndikimin e mënyrës së raportimit të mediave ne shtimin ose reduktimin e rasteve të dhunës dhe mundësitë që PK-ja të bëjë më shumë, në mënyrë që të rritet besueshmëria e qytetarëve tek institucioni.

https://www.ubt-uni.net/sq/ballina/

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme