Vitin e kaluar 45 raste për krime lufte në proces, u gjykuan vetëm 14 persona

Prishtinë | 29 Mar 2019 | 11:22 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi raportin mbi monitorimin e gjykimeve lidhur me konfliktin në Kosovë gjatë vitit 2018, raporton Ekonomia Online.

Gjatë vitit të kaluar janë ngritur dy aktakuza për krime kundër popullatës cilivile: njëra nga ana e prokurorit ndërkombëtar dhe e dyta nga prokurorja speciale vendore.

Janë shqiptuar katër aktgjykime të shkallës së parë për krime të luftës, hetime të filluara në vitet e kaluara.

Dy aktgjykime ekskluzivisht janë nxjerrë nga panelet ndërkombëtare, kurse dy të tjera janë nga panelet shqyrtuese të përbëra vetëm nga gjyqtarët vendorë.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha se gjetjet nuk janë të kënaqshme pasi në 2018 ka pasur 45 raste në proces ku janë gjykuar vetëm 14 persona.

“Gjetjet nuk janë optimiste pasi ka pasur vetëm 45 raste procese gjyqësore për krime lufte ku kemi pasë 14 persona të gjykuar”.

Natasha Kandiq, Themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, tha se mungesa e provave është një dukuri negative e cila bën që kryerësit e veprave të lirohen.

“Kur flasim për krimet e luftës është një situatë e njëjtë në tërë territorin e ish-Jugosllavisë drejtësia penale nuk e ka arritur intensitetin që ne kemi pritur ta shohim. Kjo e hap çështjen se çka po ndodhë me drejtësinë penale të Kosovës”.

“Kemi shumë fakte të përcaktuara që do mund t’i shërbenin zyrave të prokurorisë që të ngrisin më shimë aktakuza se sa kemi parë deri tani. Ne ende shohim ndërrimin e deklaratave të gjyqtarëve gjatë fazës së hetimit”.

“Përmes të mbijetuarve ne shpesh kemi ardhur deri tek emrat e kryerësve. Po vijmë një situatë që për shkak të mungesës së provave kryerësit e krimeve të luftës lirohen apo procedohet edhe njëherë hetimi”.

Tom Adams, zëvendësambasador i Ambasadës Britanike, tha se drejtësia e vonuar në Kosovë ka lënë pasoja tek familjarët e viktimave.

“Po flasim në 3 gjuhë të ndryshme por shpresoj që do flasim në një zë. Nuk është e lehtë të kemi dialog domethënës për krimet e luftës dhe drejtësia e vonuar ka lënë pasoja tek familjet e prekura që kanë humbur të dashurit e tyre”.

“1600 persona të zhdukur dhe 12 mijë civilë të vrarë dhe mijëra viktima të dhunës seksuale. Mbretëria e bashkuar ka qenë pranë Kosovës më kohëra më të vështira. Çdo viktimë kërkon drejtësi dhe drejtësia duhet të aplikohet tek këto viktima”.

Adams tha se Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën që t’i kalojë hidhërimet e të kaluarës.

“Është punuar në forcimin e departamenteve përkatëse që merren me këto raste. KPK ka rritur numrin e prokurorëve she stafin mbështetës dhe ky është një lajm i mirë”.

“I bëj thirrje KPK dhe KGjK që të vazhdojnë në proceset më merita për rekrutim. Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën që të zhvillojmë dhe t’i kalojmë hidhërimet e të kaluara. Një shoqëri e fortë si Kosova është e gatshme ta kalojë këtë dhimbje në të mirën e qytetarëve të vet”.

Anka Kurteshi-Hajdari, koordinatore e projektit në FDH, tha se në pikëpamje organizative në lidhje me bartjen e kompetencave institucionet e gjyqësorit nuk kanë treguar efikasitet, raporton EO.

“Gjatë vitit 2018 janë ngritur dy aktakuza për krimet e luftës kundër popullatës civilë njëra nga ana e prokurorit ndërkombëtarë e dyta nga prokurorja e zyrës së prokurorisë speciale të Kosovës”.

“Në pikëpamje organizative në lidhje me bartjen e kompetencave institucionet e gjyqësorit nuk kanë treguar një azhuritet të dukshëm”.

“Në rekomandimet tona i kemi shprehur disa vërejtje lidhur me punën e organeve të gjyqësorit që sipas observimeve tona nuk është adekuate duke pasur parasysh zotimin e tyre gjatë transferimit të kompetencave nga EULEX-i tek vendorët”.

Të ngjashme