Nëna e Donjeta Pajazitajt tregon fjalët e fundit të së bijës para se të vritej

Prishtinë | 06 Qer 2021 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Lumnije Pajazitaj nga fshati Strellc i Deçanit, ka folur për takimin e fundit me vajzën e saj të ndjerë, Donjeta Pajazitaj.

Ajo ka thënë se vajza e saj ka qenë gjithmonë e urtë, e sjellshme dhe e dashur për familjen dhe të afërmit.

Lumnije Pajzitaj thotë se në ditën e fundit vajza e saj ka qenë e njëjtë si gjithmonë.

“Në ditën e fundit ajo ka qenë e njëjtë, është nisur në punë në ora në 20 minuta në 14:00. E kemi pasur dy kilometra me ec për me dal në rrugë kryesore ku arrinte autobusi, gjithmonë ka dalë në atë kohë kur ka punuar në ndërrimin e dytë“, u shpreh ajo.

Ajo tha se “fjala e fundit me Donjetën e ka qenë nënë ditën e mirë kalofsh mirë, asgjë tjetër sikur çdo ditë tjetër”.

“Në mbrëmje ka telefonuar pronari ka thënë; ‘pse s’ka ardhur Donjeta ne punë’. Të gjithëve na u ka ndërpre buka, e kemi ditë se diçka e keqe ka ndodhë“, pohoi ajo.

Ajo shtoi se 6 javë ditë nuk kanë ditur asgjë për të, dhe se nuk kanë pasur informata nga Policia e as nga kushërinjtë, duke shtuar se kur ka filluar procesi gjyqësor kanë dalë disa dëshmitarë.

“Trupi i saj është gjetur në ora 12:00, kurse në mbrëmje na ka lajmëruar Policia se është gjetur një trup i pajetë në bjeshkët e Strellcit, ka shkuar burri dhe djali dhe u konfirmua se është ajo”, tha ajo në RTV Dukagjini.

Naser Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naser Pajazitaj akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna e Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” , me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.

Të ngjashme