Nënshkruhet marrëveshja me Malin e Zi për heqjen e sigurimit kufitar

Prishtinë | 25 Qer 2021 | 07:42 | Nga Ekonomia Online

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka njoftuar se sot do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit me Malin e Zi, për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kosovarët nga 1 korriku nuk do ta paguajnë sigurimin në vlerë 15 euro me Malin e Zi.

Në njoftim bëhet e ditur se marrëveshja do të nënshkruhet nga kryetari i BKS-së, Sami Mazreku dhe drejtori i Byrosë Nacionale të Siguruesve në Mal të Zi, Boris Saban.

 “Ju njoftojmë se me datë 25.06.2021 në ora 14:00 në Podgoricë, Mali i Zi, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit z. Sami Mazreku do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit me Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi z. Boris Saban, për njohjen reciproke të certifikave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësisë  në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella, në Republikën e Kosovës dhe Malin e Zi”, thuhet në njoftim.

BKS bën të ditur se me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në fjalë, drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Malit të Zi gjatë hyrjes në Kosovë do të prezantojnë Kartonin e Gjelbër valid, ndërsa në anën tjetër drejtuesit e mjeteve motorike me targë të regjistrimit të Kosovës gjatë hyrjes në Malin e Zi do të prezantojnë certifikatën e sigurimit TPL + valide, e cila aplikohet edhe në MoU-të me Maqedoninë dhe Serbinë.Reklamë

 “Më tutje, përmes këtij memorandumi të nënshkruar ndërmjet dy Byrove në cilësinë e përfaqësueseve të industrive të sigurimit, synohet të arrihet lëvizja e lirë e qytetarëve duke mundësuar rritjen e potencialit të zhvillimit ekonomik dhe rritjen e qarkullimit të mallrave e shërbimeve, duke siguruar çdo herë mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe palëve të treta të dëmtuara, në kuadër të zbatimit të Rregullores së Brendshme të Këshillit të Byrove dhe legjislacionit të secilit vend”, theksohet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme