Nëntë familje skamnore rrezikojnë të mbesin pa strehë

Prishtinë | 07 Sht 2020 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

Shtatë familje të komunitetit egjiptian dhe dy familje shqiptare, me mbi 40 anëtarë të strehuar në objektin e ish-burgut të Gurrakocit, mund të përfundojnë në rrugë për shkak se Komuna e Istogut në fund të muajit të kaluar ka sjellë vendim që t’i nxjerrë ata jashtë këtij objekti.

Nëntë familjeve, prej të cilave pesë janë nga Komuna e Istogut, tri nga Komuna e Klinës dhe njëra nga Skenderaj, Komuna u ka dhënë afat deri me 8 shtator që ta braktisin objektin.

Gazmend Vrankaj ka treguar se me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij jeton aty prej afro 10 vjet. Ai është i brengosur, meqë nuk ka zgjidhje tjetër banimi.

“Tokë nuk kam, kurrsend hiq. Duan me na nxjerr prej këtu e nuk di ka ja mbaj oj vëlla. Nuk di ka ja mbaj me gjithë këta fëmijë. Jam mbet këtu o burri i dheut derisa të vjen buldozeri dhe të më heqë edhe me fëmijë e me krejt, me m’mbyt mua ma së parti se skam ku shkoj”, shprehet i shqetësuar Vrankaj.

Më gjatë se ai në këtë objekt banon Shefkije Gashi nga Komuna e Istogut. Ajo tregon se para 14 vjetësh kishte zënë një qeli bashkë me burrin. Pas vdekjes së burrit, ajo ka jetuar aty me djalin, tash 10 vjeç.

“ E kisha lutë Komunën e Istogut, hatri i këtij jetimi, le t’ma bëjnë një zgjidhje. Ka këtu familje të Istogut, të Klinës… tash me këta fëmijë, hiq për neve, por hatri i këtyre fëmijëve. Tash në vend që me u përgatitë për dimër, e jo me i marr sendet e me dal rrugëve. Kah kemi me shku?”, pyet ajo e frikësuar për fatin e saj dhe të fëmijës.

Objekti i ish-burgut në Gurrakoc të Istogut që nga paslufta është boshatisur dhe në vend të të burgosurve, në atë objekt me kushte mesjetare janë vetëstrehuar familje të shumta skamnore nga komuna të ndryshme, të cilat i kanë shndërruar qelitë e burgut në dhoma banimi.

Vendimi për t’i nxjerrë familjet nga objekti i ish-burgut nuk është vendimi i vetëm që ka sjellë Komuna e Istogut. Pasi të dalin familjet nga objekti, Komuna ka vendosur që ta rrënojë atë objekt.

Të ngjashme