Nëntë vjet zhgënjim të familjes Jashari

Prishtinë | 18 Shk 2017 | 09:10 | Nga

Për nëntë vjet pavarësi Qeveria e Kosovës u përkujdes që ta ndërpresë financimin e projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari”, si dhe t’i margjinalizojë krejtësisht Jasharët.

Katër kullat e Prekazit të periudhave të ndryshme të historisë tregojnë për rezistencën, mosdurimin dhe luftën e përhershme të fshatit më me nam në Kosovë, ndoshta edhe në Ballkan, për t’u çliruar nga robëria me shekuj.

Ahmet Delia, Tahir Meha e Adem Jashari janë ata që brez pas brezi ua përkujtuan sundimtarëve se shqiptarët nuk e durojnë robërinë. Ky i fundit, ikona e luftës së UÇK-së, dhe Jasharët bënë kthesën e madhe në historinë e popullit të Kosovës.

Lufta e lavdishme e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998, në të cilën ranë heroikisht 56 burra, gra dhe fëmijë të Jasharëve, si dhe vetë komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, si dhe gjaku i dëshmorëve dhe i të gjithë atyre që derdhën gjak, vunë themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, shkruan Zëri.

Kështu të paktën thoshin politikanët shqiptarë të Kosovës, ata që patën privilegjin t’u prijnë institucioneve të vendit prej përfundimit të luftës e deri më tani.

Ata, disa sish edhe bashkëluftëtarë të Adem Jasharit, me vite të tëra ishin me plot gojën “Jashar”, por me kalimin e viteve e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës shkonin duke harruar veprën sublime të Jasharëve, derisa në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk i përmendën fare, as Jasharët e as komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme