Nesër bëhet varrimi i Mefail Rafunës, i vrarë dje në “Lagjen e Spitalit”

Prishtinë | 06 Sht 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Mefail Rafuna, i cili ndërroi jetë dje pas një përleshje me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Lagjen e Spitalit, do të varroset nesër në ora 13:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Aty u plagosën pesë persona, dy prej të cilëve vdiqën pasi u hospitalizuan.

Lajmin për varrimin e tij e kanë bërë të ditur familjarë të tij në rrjete sociale.

“Ju njoftojme se varrimi i më të dashurit tonë, axhës, vëllait Mefail Rafunës, bëhet nesër (e shtunë) në orën 13, në varrezat e qytetit në Prishtinë”, ka shkruat Kastriot Rafuna në Facebook.

I vrari tjetër është Bashkim Mehmeti, i cili do të varroset nesër në ora 12:00.

Detaje se si filloi e gjithë përleshja mes anëtarëve të familjes Mehmeti e Rafuna, ka dhënë sot edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, gjithçka kishte filluar me një përleshje fizike, për të përfunduar më pas me të shtëna armësh.

“Në njërën anë personat me inicialet F.R., dhe M.R., ndërsa në anën tjetër të dyshuarit me inicialet B.M., N.M., dhe M.M., kanë shtënë me armë zjarri. Ndërkaq, si pasojë e të shtënave të ndërsjella, lëndime dhe plagë të rënda në vendin e ngjarjes kanë pësuar të dyshuarit me inicialet F.R., M.R., B.M., dhe kalimtari i rastit, tani i dëmtuari G.R”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme