Nesër e pasnesër familjarët vizitojnë Krasniqin e Gucatin

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Nga Aeroporti i Prishtinës, më 16 korrik do të marrin rrugë drejt Holandës.

Kështu, grupi i parë i familjarëve të krerëve të UCK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale, të premten do të arrijë në Hagë.

Kjo pasi Specialja gati 10 muaj pas arrestimeve të para, ka lejuar vizitat në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara.

RTK ka mësuar se të parët që do të udhëtojnë drejt Hagës, do të jenë familjarët e ish-zëdhënësit të UCK-së, Jakup Krasniqi.

E më 17 korrik në vizitë do t’i pres vajzat e tij, kryetari i OVL-UCK, Hysni Gucati. Lajmin e ka konfirmuar i biri i tij, Musliu.

“Dy motrat që janë në Gjermani shkojnë më 17 dhe 18, kah fundi i muajit dhe nga fillimi muaji gusht, shkojnë dy vëllezërit edhe nëna. U kanë lajm i mirë, edhe pse diçka e vonuar, mirëpo prap është e nevojshme vizita fizike”

Tashmë në Ministrinë e Drejtësisë kanë arritur kërkesat e para për përkrahje financiare për vizitat e familjarëve, sipas Udhëzimit Administrativ.

“Tani jemi në fazën fillestare të përgatitjes së dokumentacioneve për vizitat e tyre dhe deri më tani kemi 4 kërkesa. Divizioni u kthen përgjigje brenda ditës, të gjithë familjarëve të cilët kanë parashtruar kërkesë. Procedurat fillojnë menjëherë dhe mjetet që u takojnë sipas legjislacionit në fuqi u dalin në llogaritë bankare brenda 7 ditëve të punës”, thuhet në përgjigjen e MD.

Në këtë fazë, në Hagë do të mund të udhëtojnë vetëm bashkëshortet, prindërit, fëmijët, vëllezërit dhe motrat e të akuzuarve. Këta, duhet të aplikojnë për leje vizitë sipas rregulloreve në fuqi.

“Ata që kërkojnë një vizë për të hyrë në territorin e Holandës duhet të paraqesin një kërkesë për një vizitë, të paktën tri javë para vizitës së planifikuar. Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit do të ndihmojë në procesin e marrjes së vizës. Një i paraburgosur lejohet të kalojë kohë me bashkëshorten ose fëmijët në një vizitë private të paktën një herë në tre muaj për një periudhë deri në tri orë”, kanë bërë të ditur nga Gjykata Speciale.

Gjithashtu, nga Specialja kanë bërë të ditur se ekziston mundësia e pajisjes me leje vjetore.

“Familjarët mund të aplikojnë për leje vjetore dhe pastaj nuk do të kenë nevojë të aplikojnë deri në përfundimin e kësaj periudhe. Për të marrë një leje të tillë, të afërmit mund të kontaktojnë Zyrën Administrative përmes postës elektronike. Leja duhet të kërkohet të paktën 10 ditë kalendarike para vizitës së parë. Aplikuesi duhet të plotësojë një formular me të dhëna personale dhe të dëshmojë se është familjar i ngushtë i të paraburgosurve”, thuhet në përgjigje.

Pas rishikimit të masave, nga muaji shtator do të mund të bëjnë vizita në Hagë edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Të ngjashme