Nesër mbyllen tri çerdhe në Prishtinë, paralajmërohet kthimi i disa masave

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se pas rasteve të reja me Coronavirus në Prishtinë, nga nesër disa çerdhe do të mbyllen.

Sipas njoftimit bëhet fjalë për çerdhet “Lulevera”, “Xixëllonjat” dhe “Buzëqeshja”, ndërsa është urdhëruar që të bëhet dezinfektimi i plotë i tyre.

“Tanimë kemi më shumë informata rreth dhjetë rasteve në Prishtinë. Fatkeqësisht, papërgjegjësia e individëve dhe çasja shpërfillëse ndaj rrezikut na ka shkaktuar telashe më të mëdha. Duke anuar kah kujdesi, nesër çerdhet Lulevera, Xixëllonjat, dhe Buzëqeshja mbyllen dhe urdhërohet dezinfektimi i plotë. Po ashtu do të kontaktojmë me të gjithë që mendojmë se mund të jenë në rrezik nga infeksioni”, ka shkruar Ahmeti.

Ai tutje ka thënë se nga kjo gjendje janë nxjerrë dy mësime: të mos fshihet sëmundja nga të tjerët dhe të mos e shpërfillin virusin si të parëndësishëm

Ahmeti, tutje, ka shtuar se nesër gjatë ditës do informojnë për masat shtesë.

Të ngjashme