Nesër vendimi për Gucatin e Haradinajn – familjet presin triumf të drejtësisë

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Musli Gucati për gati 2 vjet, destinacion kryesor e ka pasur Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ai udhëtonte në vizitë te babai i tij, Hysniu, i cili bashkë me Nasim Haradinajn, u akuzuan nga Gjykata Speciale për pengim të drejtësisë, zbulim të emrave të dëshmitarëve e dëmtim të punës së Speciales. Aktgjykimi për këtë rast, njëherësh i pari në historinë e Dhomave të Specializuara, do të shpallet nesër.

Musli Gucati, djali i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, duke folur në emër të familjes, thotë se ata nga dita e nesërme presin vetëm një gjë: triumf të drejtësisë.

“Në këtë proces, ne presim që të triumfojë drejtësia, dhe presim lirim edhe për Hysniun edhe Nasimin. Është e padrejtë me i akuzu krerët e OVL-UÇK-së pse ata i kanë mbrojtur vlerat më të mëdha të luftës”, thotë Musli Gucati për gazetën Nacionale.

Duke folur për gjykimin e cili ka nisur qysh nga viti 2020, Gucati thotë se Gjykata në shumë raste i ka dhënë hapësirë të madhe Prokurorisë, për të cilin fakt, edhe familja e ka kritikën kryesore.

“Krejt lufta është bërë që të kemi institucione zyrtare të pavarura, dhe fatkeqësisht në rastin konkret të kësaj gjykate ne po mendojmë se ka hapësirë për me gjyku ose me kritiku për mënyrën dhe hapësirën që ia ka dhënë Prokurorisë. Edhe ne mundemi mos me qenë dakord ndoshta me ecurinë e procesit, por si familje po presim të jetë proces pozitiv edhe për Hysniun edhe për Nasimin”, shprehet i biri i Hysni Gucatit.

“Nuk është vepër kriminale nëse i mbron vlerat më të mëdha të kombit tonë, në këtë rast siç është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlera më e madhe e kombit”, thotë ai.

Mes 7 dhe 25 shtatorit 2020, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kishin thirrur tri konferenca, ku kishin treguar për dosje të Speciales që u kishin shkuar në zyrë. Bashkë me ta ishte edhe Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Klinaku në një bisedë për gazetën Nacionale, thotë se Specialja është gjykatë politike. Sipas tij, Prokuroria është dashur ta hetojë veten për ta parë nga ku kanë rrjedhur dosjet.

“Qëndrimi ynë rreth kësaj gjykate dihet, është gjykatë politike. Vetë gjykimi që është mbajtur për shokët tonë atje, e dëshmon këtë, sepse ata për të qenë korrekt është dashur ta hetojnë veten e pastaj me ardhë te na”, thotë Klinaku.

Klinaku, që tash ushtron detyrën e kryetarit të OVL-UÇK-së, thotë se kolegët e tij vetëm kishin treguar se Prokuroria e Hagës po bashkëpunon me regjimin e Millosheviqit.

“E kemi thënë vazhdimisht që ata nuk është dashur të merren fare, sepse nuk kanë bërë asgjë. Vetëm u kemi treguar opinionit që këta bashkëpunojnë me kriminelët serbë, komandantë të ndryshëm që kanë bërë masakra në Kosovë. Ata me të cilët po bashkëpunojnë, do të duhej të ishin të akuzuar për krime lufte. Ata kanë bashkëpunuar me Milovan Drecunin, kriminel i luftës që ka thanë se duhet të ndiqen shqiptarët”, thekson Faton Klinaku për gazetën Nacionale.

Prokuroria e Specializuar në Hagë, ka kërkuar dënim me 12 vjet burg për Gucatin e Haradinajn. Nga 6 vjet, për secilin prej tyre.

Çfarë kishte ndodhur?

Ishte 7 shtatori i vitit 2020, kur mediat u ftuan në një konferencë të jashtëzakonshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Aty u prezantuan disa dosje të Speciales, të cilat u tha se i kishte sjellë një person i panjohur, të cilit më pas iu dha nofka “Rrufeja”. Edhe dy konferenca të ngjashme u organizuan gjatë muajit të njëjtë, ku u publikuan dosje të tjera.

Një aksion me njësitet elite speciale të EULEX-it u organizua në zyrat e OVL-UÇK-së, ku u arrestuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Më 29 shtator e 1 tetor të vitit 2020, ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u deklaruan të pafajshëm.

Gjatë gjykimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe punonjës të ZPS-së. Ata kishin treguar se pas publikimit të këtyre dosjeve, dëshmitarët kanë qenë të frikësuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në punën e Gjykatës Speciale. Në mesin e dëshmitarëve të ZPS-së kishte edhe gazetarë, të cilët kishin publikuar këto dosje.

Në total, 14 dëshmitarë ishin të ftuar në këtë proces. Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishte ftuar 10 dëshmitarë, kryesisht veteranë e punonjës të OVL-UÇK-së.

Gjykimi ka zgjatur saktësisht 31 ditë të plota, kurse procedura paraprake 12 muaj e 12 ditë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë qëndruar në parburgim.

Të ngjashme