Nevojitet bashkëpunim mes sektorit publik e privat në ekonomi, arsim, shëndetësi…

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 19:10 | Nga

Në kampusin e UBT-së, në Prishtinë, të mërkurën u mbajt konferenca “A dream only- Or the only way ahead for Kosovo”, në të cilën ekspertë vendorë e ndërkombëtarë trajtuan aspekte të bashkëpunimit të ndërsjellë mes fushës së etikës, ekonomisë, politikës, arsimit, hulumtimit dhe shëndetit mes sektorit publik dhe privat, me ç’rast ata konstatuan se për t’u zhvilluar fushat e ndryshme në Kosovë dhe për t’u rritur efikasiteti i partneritetit me vendet tjera, patjetër duhet që sektori publik dhe ai privat të bashkëpunojnë, me qëllim të përmirësimit dhe të zhvillimit të mëtutjeshëm të fushave të ndryshme dhe të rëndësishme për Kosovën.

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se për të bërë rimodelimin e një zhvillimi të përgjithshëm dhe që në veçanti ndikon në rritje ekonomike dhe në ngritjen e cilësisë së jetës, është e rëndësishme që qasja jonë të jetë sistemore.

“Është shumë e nevojshme që të kemi qasje sistemore dhe përpjekje të vazhdueshme për të ndërlidhur dhe bashkërenduar të gjitha elementet që ndikojnë në zhvillimin e fushës së arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e hulumtimit, duke u bazuar në praktikat më të mira të shfrytëzuara më parë nga të tjerët”, vlerësoi Hajrizi, teksa shtoi se në këtë aspekt, “ka rëndësi qe të arrihet autonomia akademike dhe nevoja e përgjegjësisë për etikën dhe elementet tjera që lidhen me aspektin etik profesional.

Ish-zëvendës kancelari i Austrisë, Erhard Busek, duke treguar mbi përvojat e tij jetësore, tha se bota po kalon nëpër një tranzicion të madh në të gjitha fushat, por sipas tij, e rëndësishme është që të mësohemi me ndryshimet.

“Ne duhet të mësohemi me situatat të cilat janë krijuar aktualisht në botë dhe të zhvillohemi me ndihmën e tyre, por paraprakisht, gjithmonë duhet të shikohen mundësitë që na ofrohen nëpër të gjitha fushat”, potencoi ai.

Busek theksoi se një rol të madh në realitetin e krijuar e luan edhe zhvillimi i hovshëm ekonomik, që po shkakton ndryshime të mëdha.

“Zhvillimi i teknologjisë, automatizmi dhe robotika po ndikojnë që shumë njerëz të mbesin pa punë, por në anën tjetër, nga po të njëjtat, po zhvillohen pajisje e makineri tjera dhe po krijojnë hapësirë për vende të reja pune”, tha Busek.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Ilir Deda konstatoi se Kosova duhet ta shtyjë përpara procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, kjo për arsye se, sipas tij, ky proces është më i duhuri dhe më i nevojshmi për vendin tonë.

“Procesi i integrimit është rruga më e mirë nëpër të cilën duhet kaluar, sepse kjo do të na detyrojë të planifikojmë dhe ta zhvillojmë ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe të gjitha fushat tjera të zhvilluara në Kosovë”, theksoi Deda, me ç’rast theksoi se, “të orientohesh kah Bashkimi Evropian, do të thotë të jesh për shoqëri dhe popull të zhvilluar”.

Ekspertja e sistemit shëndetësor, Elizabeth Campestrini tregoi se sipas studimeve të fizibilitetit të sektorit shëndetësor në Kosovë, është vënë re një mungesë bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat shëndetësor.

“Përderisa në vendet e zhvilluara ka një bashkëpunim të madh drejt përmirësimit të nivelit të shëndetësisë, në Kosovë ka një lloj gare për mbizotërim”, vlerësoi Compestrini.

Sipas saj, bashkëpunimi ka shumë rëndësi jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë botën, kjo sepse krijohet një mundësi për ofrimin e ndihmës dhe për plotësimin e njëra-tjetrës.

“Nuk mund te injorohen sistemet që janë krijuar, por duhet të bashkëpunojnë për të arritur standarde evropiane, duke marrë shembuj nga praktikat te mira dhe duke krijuar strategji të përbashkëta veprimi”, potencoi ajo.

Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci vlerësoi se zhvillimi dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit, është esencial për zhvillimin e tërësishëm të Kosovës.

“Ne duhet të fokusohemi në arsim sepse pa e krijuar fondamentin dhe pa e pasur secili perceptimin se Kosova është e para, rruga për t’u zhvilluar tutje do të mbetet vetëm një ëndërr”, theksoi Statovci, nën arsyetimin se, së pari duhet ta zhvillojmë dhe ta forcojmë Kosovën dhe më pas, të zhvillojmë partneritet me të tjerët”, përfundoi ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme