Nexhmedin Spahiu flet për rrahjen më 1997 në Tiranë: Enver Hasani nuk më mbrojti, iku si lepur

Prishtinë | 19 Shk 2022 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Analisti i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se nuk e kishte mbrojtur Enver Hasani, ish-kryetari i Kushtetueses nga sulmi që atij i ishte bërë në Tiranë, më 1997.

“Nuk është e vërtetë se më ka shpëtuar Enver Hasani. Kemi qenë duke shëtitur së bashku me Enverin përballë Hotel “Dajti”. Enveri i ka vërejtur sulmuesit e armatosur dhe ka ikur. Nuk bëhet fjalë për shpëtim. Është rrenë e kulluar. Ka ikur si lepuri. Zaten mirë ka bë se nuk kish pas çka me bë”, ka thënë Spahiu për Insajderin në kundërpërgjigjen për Hasanin.

Spahiu tutje ka treguar se nga sa persona ishte sulmuar dhe mbi arsyet e sulmit.

“Nuk është e vërtetë se kanë pas maska. Gati të gjithë persona të njohur për mua. Nuk kanë qenë 7-8 po 12 veta. Ky ka qenë një fat për mua sepse gjatë sulmit pengonin njëri tjetrin. Kam shpëtuar i papërgjakur. Enveri nuk ka mundur ta dije gjendjen time sepse ka ikur shpejt. Të gjithë sulmuesit tashmë janë të vdekur. I pari ka vdekur pas 1 muaji, i fundit ka vdekur pas dy viteve. Nuk kam dorë në vdekjen e asnjërit prej tyre. Arsyeja e sulmit ka qenë një shkrim i imi kritik për Rexhep Qosjen ku mesazhi ka qenë mos me u marrë me Sali Berishën atëherë të vdekur politikisht”, ka thënë tutje ai, shkruan Gazeta Insajderi.

Si lindi ‘konflikti’ Hasani-Spahiu?

“Është shumë pështiroseshe se si Enver Hasani përpiqet t’i vardiset Beogradit dhe veglave të tij në Kosovë përmes baltosje së Xhafer Devës madje duke keqpërfolur historianin nr.1 në botë Noel Malcolm”, kishte thënë analisti Nexhmedin Spahiu për ish-kryetarin e Kushtetueses, Enver Hasanin.

Kjo deklaratë ndaj tij, e ka shty Hasanin të gërmojë arkivin e mendimeve të tij, dhe të tregojë një histori që kishte ndodh më 1997, në Tiranë, ku ishte i përfshirë Spahiu.

“Prapë kjo lidhet me të mirat e mia ndaj tij, sikur te rasti Shkëlzenit. Bile ky Nexhi më ka borgj moral më shumë se Shkëlzeni: në vitin 1997, e kam dikund në ditarë datën e saktë, kam rrezikuar jetën time në Tiranë dhe e kam nxjerrë nga dora e disa njerëzve (7 ose 8 vetë, dy nga ta të armatosur me kallashnikovë), të cilët po e rrihnin në mënyrën më çnjerëzore që kisha parë ndonjëherë live”, ka thënë Hasani në intervistën ekskluzive për Gazetën Insajderi.

“Kam hasur aty fare rastësisht dhe kam ndërhyrë, duke ua nxjerrur Nexhin e përgjakur nga dora e tyre. Ai e din pse e kanë rrahur”, ka vazhduar tutje profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Të ngjashme