Nga 10 marsi, të gjithë ata që kanë kafshë shoqëruese obligohen t’i regjistrojnë ato

Prishtinë | 04 Mar 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Nga data 10 mars, të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese, duhet të bëjnë regjistrimin e tyre, si masë për parandalimin e braktisjes së qenve.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka nënshkruar më 1 mars dy udhëzime administrative ku njëri ka të bëjë me regjistrimin e obligueshëm të kafshëve ndërkaq tjetri përcakton – unifikon çmimet e shërbimeve veterinare sa i përket aplikimit të mikroçipit te kafshët shoqëruese, kastrimit/ sterilizimit dhe hospitalizimit të tyre.

Leonora Arifi nga divizioni për komunikim me publikun në MPBZHR ka thënë për KOHËN se udhëzimet administrative janë publikuar më 3 mars në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës ndërkaq, që nga 10 marsi hyjnë në fuqi.

“Më datë 01.03.2021 ministri Mustafa ka nënshkruar dy Udhëzimet administrative, atë për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve si dhe atë për kompensimin financiar të shërbimeve veterinare në terren. Të dy këto udhëzime, respektivisht njëra ua bën të obligueshëm mbajtësve (pronarëve) të kafshëve shoqëruese, të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve të tyre, kurse tjetri përcakton – unifikon çmimet e shërbimeve veterinare sa i përket aplikimit të mikroçipit te kafshët shoqëruese, kastrimit/ sterilizimit dhe hospitalizimit të kafshëve shoqëruese”, ka thënë Arifi.

Lidhur me këto udhëzime administrative ka reaguar edhe organizata joqeveritare “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”.

Sipas kësaj organizate, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve, të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese duhet t’i identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK.

“Më konkretisht, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese (qen, mace), duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK. Organizata jonë do të takohet me AUVK-në për të diskutuar planin e zbatimit të këtyre dy udhëzimeve administrative, dhe më pas, do të organizojë fushata informuese për t’i informuar mbajtësit e kafshëve për përgjegjësitë e reja ligjore që ju takojnë për të regjistruar kafshët e tyre”, tregohet në komunikatë.

“Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve” shprehet i kënaqur që edhe Kosova ka një bazë ligjore, e cila e obligon regjistrimin e kafshëve shoqëruese dhe e ndalon e ndëshkon braktisjen e tyre.

Ndërkohë, ditë më parë, drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha ka deklaruar në “Interaktiv” të KTV-së se braktisja e qenve nga pronarët e tyre po paraqitet si një nga problematikat më të mëdha sa i përket qenve endacakë në komunën e Prishtinës.

Të ngjashme