Bashkatdhetarët tani mund të pajisen online me polisën e sigurisë

Prishtinë | 09 Kor 2016 | 13:17 | Nga

Nga 20 korriku, bashkatdhetarët kosovarë do të mund të pajisen online me polisën e sigurisë. Kështu u bë e ditur gjatë një takimi që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, realizoi me kryetarin i Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin

Zyra e Informimit e Kuvendit njofton se kryeparlamentari Veseli, pas takimeve me bashkatdhetarët, nga të cilët u informua për vështirësitë që u shfaqen atyre në hyrje të Republikës së Kosovës, pritjet dhe kolonat për t’u pajisur me sigurim të makinës, ka takuar edhe kryetarin i Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin, me të cilin diskutoi rreth kësaj çështjeje.

“Bashkëbiseduesit u dakorduan që nga 20 korriku, bashkatdhetarët që jetojnë në diasporë do të mund të pajisen online (përmes internetit) me polisën e sigurisë për të hyrë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kryetari Veseli falënderoi Zyrën e sigurimeve për gatishmërinë dhe mirëkuptimin e evitimit të kësaj vështirësie për bashkatdhetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme