“Nga 200 u bënë 500 – Ushtarët vdiqën pas luftës dhe u shpallën dëshmorë”

Prishtinë | 17 Gus 2018 | 10:46 | Nga

Jo vetëm numri i veteranëve u rritë jashtëzakonisht shumë nga Komisioni për njohjen e statusit të ushtarëve të UÇK-së, por ky komisioni sipas fjalëve të komandantit të FSK-së, Rrahman Rama u rritën edhe për dëshmorët e UÇK-së.

Në aktakuzën e publikuar sot nga Koha Ditore për mashtrimet për fryrje të listave të veteranëve, anëtari i Komisionit, Rrahman Rama citohet të ketë thënë se numri veteranëve ka kaluar çdo pritshmëri, por se janë rritur edhe numri i dëshmorëve.

Thotë se nga 200 u bënë 500 dëshmorë, teksa shtonë se ushtarët vdiqën në aksidente pas lufte dhe më pas u shpallën dëshmorë, përcjell Insajderi.

“Nga 200 sa kanë qenë, janë bërë 500 dëshmorë. Ka edhe raste kur ushtarët kanë vdekur në aksidente paslufte e tani figurojnë si dëshmorë”, thuhet në proces verbalin e audioincizimit të mbledhjes së Komisionit të datës 9 shkurt të vitit 2015.

Për gjithë këto shifra Rama thoshte se nuk kishin asnjë mundësi të ishin reale. Thoshte se nëse kishin ekzistuar 60 mijë veteran nuk kishte pasur nevojë fare për KFOR-in të intervenonte në Kosovë.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë; Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Sipas prokurorit Blakaj, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”.

Prokurori i këtij rasti Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij duke u larguar nga Kosova. Dyshohet se shkak i largimit të tij kanë qenë kërcënimet që i janë bërë për këtë rast.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme