Nga 900 premtime të kryetarëve të komunave, u realizuan vetëm rreth 100

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Kishin dhënë shumë premtime gjatë fushatës zgjedhore, por, pasi e morën mandatin po e kanë të vështirë që t’i mbajnë ato. Kryetarët e 26 komunave gjatë fushatës zgjedhore kanë dhënë rreth 900 premtime, por në gjysmën e mandatit nuk kanë arritur që t’i përmbushin as 100 prej tyre.

Ndërkohë, që për 455 premtime as sot e kësaj dite nuk ka filluar puna për realizimin e tyre, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndonëse udhëheq me një komunë të vogël, gjatë fushatës kishte bërë premtime goxha të mëdha. Madje, për nga numri i premtimeve, ai ua kalonte gjithë kolegëve të tij.

Ai për nga premtimet, i kishte lënë pas vetes edhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin e atë të Gjakovës, Ardian Gjinin, të cilët udhëheqin me komuna shumë më të mëdha, e kanë buxhet më shumë.

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që u mbajtën së fundi, Haliti ka bërë gjithsejtë 98 premtime.

Por, ndonëse kishte bërë kaq shumë premtime, në gjysmën e mandatit, ai ka arritur që t’i përmbushë vetëm tetë prej tyre, derisa për 32 të tjera as që ka filluar punën.

Pas Halitit, renditet Ahmeti me 81 projekte e Gjini me 78 të tilla.

Kryetarët e 26 komunave bashkë, kanë premtuar se do të realizojnë 888 projekte për katër vite mandate. Numri më i madh i këtyre premtimeve ishin të fokusuar në infrastrukturë, arsim e shërbime publike, shkruan Express.

Krejt kjo sipas raportit “Premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale”, që ka publikuar Instituti GAP.

Por, të dhënat e nxjerra nga ky institut tregojnë se kryetarët e komunave nuk kanë arritur që t’i përmbushin as 100 prej këtyre premtimeve.

Prej mbi 900 premtimeve të dhëna në 26 komuna, për pjesën e parë të këtij mandati janë përmbushur plotësisht 95 premtime, përderisa 455 premtime akoma nuk kanë nisur së realizuari.

“…Pjesërisht të përmbushura rezultojnë 53 premtime, ndërsa në 301 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre”, thuhet në raportin e GAP-it.

Sipas këtij raporti, numri më i madh i premtimeve të realizuara është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe administratës.

Ndërsa fushat të cilat janë lënë pas dore nga udhëheqësit e komunave, janë ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimeve publike si dhe në fushën e urbanizimit.

Por, në këto raporte nuk janë përfshirë kryetarët e tërë komunave. Gjithë kjo pasi që disa nga kryetarët aktualë nuk kishin zhvilluar fushatë zgjedhore.

“Disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore, gjë që e bën vlerësimin e premtimeve të pamundur. Komunat si Skënderaj, Mamushë dhe 10 komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete”, thuhet tutje në këtë raport.

Ndryshe, në zgjedhjet e kaluara, partitë politike, kishin bërë gjithsejtë 548 premtime. Por, nga ana tjetër nuk i kishin realizuar as edhe gjysmën e tyre.

Prej, 548 premtimeve, vetëm 283 prej tyre ishin realizuar. Ndërkaq, ishin 66 projekte që nuk kishin filluar fare të realizohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme