Nga e hëna inspektorët sanitarë gjobisin qytetarët pa maska në publik

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Nga kjo e hënë, qytetarët të cilët nuk mbajnë maska dhe nuk i respektojnë vendimet për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të gjobiten drejtpërsëdrejti nga Inspektorati Sanitar si në formën e tiketave të trafikut.

Derisa nëse ata gjobën e paguajnë brenda 15 ditëve do të mund ta paguajnë përgjysmë.

Kryeinspektori i Inspektoratit Sanitar thotë se kjo është bërë bazuar në Ligjin për Kundërvajtje.

Vetëm brenda 5 ditëve, inspektorët sanitarë kanë gjobitur 530 qytetarë për mosmbajtje të maskave. Derisa Tërshnjaku thotë se 80 inspektorë çdo ditë janë në terren duke mbikëqyrur zbatimin e masave të përcaktuar nga Qeveria.

E përkundër thirrjeve të shumta të Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të fushatës për zbatim të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ditëve të fundit, krerë të lartë shtetërorë nuk u janë përgjigjur këtyre thirrjeve.

Një ditë më parë ishte presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili në dy ngjarje të ndara ishte i vetmi i cili u pa maskë në vende publike. Ai fillimisht në një ceremoni të policisë ishte pa maskë dhe gjithashtu gjatë një vizite që pati me qytetarë në Prizren.

KTV-ja ka pyetur Zyrën e presidentit për arsyet që kreu më i lartë i shtetit gjatë këtyre vizitave nuk mbante maskë, por nuk ka marrë përgjigje. Ditëve të fundit pa maskë është parë edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi. Derisa vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë një vizite që u kishte bërë pacientëve në QKUK nuk kishte mbajtur distancën e rekomanduar nga institucionet shëndetësore.

Pa maska janë parë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës gjatë seancave.

Arton Demhasaj, nga Çohu, thotë se kjo sjellje e zyrtarëve të lartë të shtetit kundrejt masave të vëna nga qeveria është shkurajuese për qytetarët, të cilëve gjatë gjithë kohës u kërkohet zbatimi i masave.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka thënë se të gjithë ata, përfshirë presidentin duhet të gjobiten nëse nuk mbajnë maskë.

Pas rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve, më 13 korrik të këtij viti, Qeveria vendosi që mbajtja e maskave të jetë obligative në vendet publike.

Të ngjashme