Nga IKSHP-ja apelojnë për kujdes nga uji i bunarëve

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Koordinatorja e Departamentit për monitorimin e cilësisë së ujit pranë IKSHPK-së, Burbuqe Latifi-Nushi, ka folur për cilësinë e ujit pas reshjeve të fundit të shiut.

Ajo ka thënë se cilësua e ujit është në përgjithësi në rregull, por se mungon sasia, pasi kompanitë apo fabrikat e prodhimit të ujit, për arsye të ngritjes së turbullirave si pasojë e shiut, janë të detyruar të minimizojnë kapacitetin.

“Cilësia e ujit në përgjithësi është në rregull, bazuar në analizat që i bëjmë në baza ditore në IKSHPK. Mungon sasia, pasi kompanitë dhe fabrikat e prodhimit të ujit, për arsye të ngritjes së turbullirave si rezultat i shirave, janë të detyruar të minimizojnë kapacitetin, siç është rasti me fabrikën në Shkabaj. Për këtë arsye disa pjesë të rajonit të Prishtinës, janë të detyruar të aplikojnë restriksione apo ndërprerje të ujit për një kohë të caktuar, brenda ditës”, ka deklaruar Latifi-Nushi.

Ajo ka thënë se rrezikshmëri tjetër paraqesin gypat e zbrazët sa i përket cilësisë së ujit apo edhe dëmtimi i tyre.

“Gypat e i tërë rrjeti shumë shpesh ndodh të pësojnë dëmtime. Futja e kontaminimit nga jashtë në rrjet të ujit të pijes është mjaft i mundshëm”, ka thënë Latifi-Nushi.

Ajo ka treguar se ka thirrje të përditshme e ankesa nga qytetarët për cilësi jo të mirë të ujit.

Latifi-Nushi ka ka lutur qytetarët nëse është e mundur të mos fusin në rrjet ujërat e bunarit, sepse siç thotë sedimentohet ndotja e ajo qëndron për një kohë të gjatë.

“Ndodh që uji me qenë më i turbullt në rubinet për shkak të ndonjë dëmtimi të gypit apo rrjetit, apo edhe kur lëshohet pas 3-4 orë restriksione. Problemi tjetër qëndron edhe në përzierjen e ujërave nga rrjeti qendror dhe ujërave që futen prej bunarëve në rrjet. Është alternativë që qytetarët detyrimisht e shfrytëzojnë për shkak të mungesës së ujit”, ka thënë Latifi-Nushi në KTV.

Të ngjashme