“Nga refugjate në pilote”, Garda Kombëtare e ShBA-së shkruan për kosovaren

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Baza ajrore Farkë, Shqipëri – Nëse është ndokush që di për punën e madhe dhe përkushtimin, ajo është lejtnantja e dytë, Valdete Mehanja, pilote e Regjimentit të 131-të të Aviacionit. Mehanja është shqiptare e lindur në Kosovë dhe qytetare amerikane. Ajo kurrë nuk kishte menduar se do ta shihte Shqipërinë.

“Kurrë nuk e kam vizituar Shqipërinë më parë. Është ndjenjë e pabesueshme të jesh këtu, si pilote, në uniformë dhe në ushtrinë amerikane”, thotë ajo. “Kurrë nuk do ta shfrytëzoja këtë mundësi për të fluturuar përreth Shqipërisë, nëse nuk do të ishte ushtria. Mundësia për ta përjetuar këtë thjesht më bëri shumë të lumtur”, shtoi Valdetja.

Mehanja thotë se ky mision ia krijon ndjenjën si të kishte kompletuar një cikël. Ajo u rrit në mjedis të varfër dhe familja e saj u bë refugjate lufte, duke lënë pas ato pak gjëra që kishin për t’i mbijetuar konfliktit të dhunshëm. Vite më vonë, si kontraktor për Departamentin e Mbrojtjes, konvoji i saj, që po udhëtonte drejt Bagdadit, ra në pritë nga pajisje të improvizuara shpërthyese dhe nga zjarri i armëve.

“Mendova se deri aty e pata”, thotë ajo në një intervistë. Megjithatë, Valdetja u shpëtua nga pilotët amerikanë dhe ajo e diti që kjo ishte ajo që dëshironte ta bënte.”

“Kjo më bëri që të dëshiroja t’i bashkohem aviacionit. E dija se kam një mision më të madh. Thjesht nuk mund të isha një person i rregullt dhe të mos e kthej të mirën.”

Prej asaj kohe, Mehanja e ka arritur këtë qëllim dhe është bërë pilote e helikopterit UH-60 Black Hawk për ushtrinë amerikane. Ajo ndjeu se cikli së shpejti do të kompletohej, kur dëgjoi se Regjimenti i 131-të do të shkonte në Shqipëri për të marrë pjesë në ushtrimin Defender-Europe 21.

“Isha shumë e magjepsur. Nuk mund të besoja se njësia e Gardës të cilës iu bashkova unë do të shkonte në Shqipëri. Nuk e kuptova sa i bukur është vërtet ky vend derisa më erdhi rasti të fluturoj përreth maleve të tij. Nuk mendoj se do të mund ta vizitoja Shqipërinë në ndonjë mënyrë më të mirë”, tha Mehanja.

Që nga ardhja në Shqipëri, Mehanja ka fluturuar me helikopter në misione dhe ka shërbyer si përkthyese e këshilltare kulturore për amerikanët e shqiptarët që po punojnë së bashku. Ajo thotë se ka qenë e lumtur që ka marrë detyra shtesë.

“Nëse punojmë bashkë, do të jemi më të fuqishëm së bashku. Mendoj se mbajtja e këtij bashkëpunimi dhe vazhdimi i misioneve dhe trajnimi së bashku do të hapin një dritare të re për t’i përjetuar kulturat tjera”, shtoi Mehanja.

Ajo nuk beson se do të ishte kaq e suksesshme pa Regjimentin e 131-të të Aviacionit dhe pa Gardën Kombëtare të Alabamës.

“Unë seriozisht e kam njësinë më të mirë. E kam komandantin më të mirë. Ata më kanë lejuar që ta kem këtë përvojë, të jem pjesë e tërë kësaj. Ishte puna e Zotit dhe e secilit këtu që e bënë këtë të mundshme dhe unë dua t’i falënderoj ata”, tha në fund Valdetja.

Të ngjashme