Ngritet aktakuzë ndaj zyrtarit policor në Gjakovë që ngacmoi gruan që shkoi ta denonconte një rast

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit policor me inicialet P.P., për shkak të veprës penale “Ngacmimi”, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas aktakuzës, më 13 shtator 2021 e deri më 14 shtator 2021, në Gjakovë, P.P., në vazhdimësi përfshihet në sjellje të padëshirueshme, me qëllim të ngacmimit, duke i sjellë shqetësim emocional të dëmtuarës R.S.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara kishte shkuar që të denonconte një rast që lidhej me vajzën e saj, por pasi që ka shkuar në shtëpi, zyrtari policor i cili e kishte intervistuar, i kishte dërguar mesazhe provokuese në telefon.

Për më tepër, polici në fjalë akuzohet se në orët e para të mëngjesit kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës, por kur e kishte parë brenda edhe motrën e saj, ishte arsyetuar se ka shkuar për të marrë një thikë, gjoja si provë për rastin paraprak që e kishte raportuar ajo.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Të ngjashme