Nis fushata “Mos Hesht” kundër trafikimit me njerëz, këtë vit regjistrohen 106 raste

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 11:22 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka organizuar konferencë me rastin e Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz dhe hapjes së fushatës kundër trafikimit me njerëz, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, prezantoi para të pranishmëve hapjen e fushatës “Mos hesht” duke treguar gatishmërinë e MPB-së për të luftuar këtë dukuri.

“Hapja e fushatës është “Mos hesht” që do të zgjasë 1 muaj, ajo që është synojmë është fuqizimi i mekanizmave për parandalimin, ndjekja e trafikantëve, e të tjera. Duhet cekur edhe punën e MPB-së për hartimin e strategjisë se re 2020-2024”.

Hysen Gashi nga zyra e Kryeministrit tha se përveç detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve është mirë që edhe qytetarët të bashkëpunojnë që të arrihet deri tek ata që merren me këtë dukuri.

“Kjo temë nuk është një nga temat shumë me rëndësi për shoqërinë, meqë është një sfidë që shkakton probleme edhe në suaza shtetërore. Ajo çka është e udhës të bëjmë, nuk duhet të mbështetemi vetëm në mekanizmat që merren me këtë çështje, por duhet edhe qytetarët të vetëdijesohen. Ky problem nuk është vetëm problem i një shteti, por është problem global”.

Zv.drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se si polici e Kosovës këtë vit kanë identifikuar 106 raste për hetim dhe 152 persona janë arrestuar derisa 52 persona janë identifikuar si viktima

“Policia e Kosovës njërën nga objektivave e ka paraparë parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore. Trafikimi është një dukuri kriminale ku përcillet me vepra të tjera penale. Gjendja sociale e rëndë, moskujdesi familjarë, braktisja e shkollimit e të tjera. Prioritet i policisë mbetët parandalimi dhe me aktivitete operacionale. Këto kanë rezultuar me identifikimin e këtyre personave dhe shkatërrimin e grupeve kriminale. Për këtë vit janë të identifikuar 106 raste për hetim, 152 persona janë arrestuar si të dyshuar dhe 52 persona janë identifikuar si viktima”, tha ai, raporton EO.

Gashi shtoi se në kuadër të kësaj fushate do të organizohen aktivitete të shumta, ndër to edhe sot gjatë ditës mbajtja e ligjëratave nëpër xhamitë e Kosovës.

“Në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës, sot në të gjitha xhamitë do të mbahet ligjëratë për këtë dukuri. Rezultatet e policisë së Kosovës i ka përkrahur edhe Ambasada Amerikane”.

John Bush nga Ambasada Amerikane tha se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Kosovës për të mbrojtur njerëzit nga trafikimi.

“ SHBA do të vazhdoj të mbështes rrugën e Kosovës për të mbrojtur njerëzit nga trafikimi”, tha ai.

Basri Kastrati nga zyra e Prokurorit të Shtetit tha se

“Kosova ka bërë progres të shtuar në trajtimin e kësaj dukurie duke respektuar ligjet dhe duke krijuar infrastrukturën për viktimat. Gjykatat kanë shtuar dënimet për viktimat e trafikimit, kryeprokurori ka treguar prioritet për këtë kategori.  Në vitin e kaluar zyra jonë ka trajtuar 40 raste të dyshuara, që më vonë kanë rezultuar në 25 viktima. 108  kallëzime penale, 181 persona të dyshuar,  20 kallëzime penale kanë zgjidhur prokuroritë”, tha ai.

Besnik Ramosaj  nga  Këshilli Gjyqësor i Kosovës tha se këtë vit janë zgjidhur 9 raste.

“Neve si gjyqësor na mbetet si t’i trajtojmë këto çështje. KGJK-ja ka angazhuar mbi 50 gjyqtarë kështu që jemi shumë komod. Kemi një trend pozitiv në 9 mujorin e vitit 2018, kemi zgjidhë 13 raste dhe këtë vit kemi 9 raste dhe jemi më efikas meqenëse kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Ne do u japim prioritet këtyre rasteve”, tha ai, raporton EO.

Isak Shabani nga Ministria e Shëndetësisë tha se kjo ministri ka përfshi në Ligjin për Shëndetësi si kategori të veçantë që këto viktima të lirohen nga pagesat.

“Shëndetësia është ajo që bart pasojat e fundit viktimave. Ministria e Shëndetësisë ka përfshi në Ligjin për Shëndetësi si kategori të veçantë që këto viktima të lirohen nga pagesat”.

Të ngjashme