Nis fushata për promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Down Syndrome Kosova ka nisur fushatën për promovimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, me theks të veçantë promovimin e mbrojtjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe ndalimin e ndëshkimit trupor.

Sebahate Hajdini, drejtoreshë e Shoqatës Down Syndrome Kosova ka thënë se fushata ka për qëllim të sensibilizojë, në rend të parë, përfaqësuesit e institucioneve për obligimet të cilat dalin nga ky ligj, për realizimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

“Neni 46 në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, garanton shërbime edukativo – sociale për fëmijët me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, parashihet që për realizimin e këtij Ligji të ketë mbështetje nga aktet e tjera nënligjore. Si Shoqatë zotohemi këtu, se do të jemi shumë të zëshëm në raport me institucionet e vendit, për krijimin e këtyre akteve nënligjore të cilat do të garantojnë shërbime edukativo – sociale për fëmijët me aftësi të kufizuar”, tha ajo.

Sa i përket shërbimeve të fëmijëve me aftësi të kufizuar, Hajdini deklaroi se mbeten sfida më e madhe, ngase nuk ka një sistem të mirëfilltë në nivel institucional që garanton shërbime për secilin fëmijë me aftësi të kufizuar.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj shpjegoi se kanë shumë aktivitete që kanë të bëjnë me këtë fushë, kanë ankesa vazhdimisht por edhe kanë raste ku kanë filluar hetimet.

Ai ka përmendur se ka shumë raste kur fëmijën me aftësi të kufizuar nuk e kanë pranuar në çerdhe ngase nuk i punojnë të dy prindërit dhe pranoi se shumë kushte për fëmijët me aftësi të kufizuara nuk plotësohen në institucionet parashkollore.

“Vitin 2021 e kam shpallur vit për mbrojtjen nga diskriminimi, duke pasur parasysh faktin se jam i pakënaqur me mënyrën se si është zbatuar ky ligj, edhe nga vet institucioni që e udhëheqi, e jo vetëm te institucionet e tjera. Qasja që institucionet e kanë pasur në raport me këtë ligj nuk ka qenë e duhura. E drejta e garantuar me këtë ligj nuk është absorbuar nga qytetarët, fillimisht nuk kanë qenë të informuar, nuk kanë funksionuar as fushtatat vëtëdijësuese, prandaj qytetarët kanë humbur shumë”, tha Qelaj, duke shtuar se është i gatshëm për bashkëpunim me fushatën e DSK-së.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës tha se fushata e DSK-së është shumë e qëlluar ngase prek një kategori shumë të ndjeshme.

“Si Qeveri, jemi koordinuar me ministritë e linjës, që 17 aktet nënligjore që burojnë dhe derivojnë nga ky ligj të fillohet procesi i punës së tyre. Tani jemi në fazën finale të këtyre aktveve nënligjore, 10 prej tyre pothuajse janë në përfundim, disa nuk kanë filluar, disa janë në proces. Shpejt do të fillohet një fushatë nacionale për zbatimin e këtij Ligji”, deklaroi Hajredini.

Ndërsa, Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar deklaroi se fëmijët me aftësi të kufizuar kanë ballafaqime dhe sfida të ndryshme, duke i’u nënshtruar diskriminimit ditor në fusha të caktuara, siç është fusha e edukimit, e mirëqenies sociale, mungesa e shërbimeve, e shumë të tjera.

“Ne synojmë të arrijmë parandalimin e diskriminimit ndaj fëmijëve, sepse diskriminimi është një fenomen jashtëzakonisht i rrezikshëm për integrimin e shoqërisë apo shtetit në mekanizma ndërkombëtar, që Kosova ka synim. Parandalimi i diskriminimit përveç që është akt ligjor dhe moral, është edhe kushtetutes, ngase kategori të caktuara të shoqërisë janë të mbrojtura nga vet Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi ai, duke shtuar se krijimi i kushteve të përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, pakëson problemet.

Ai ka përmendur se si fëmijët me aftësi të kufizuara marrin vetëm nga 100 euro nga shteti, e që për më shumë se 12 vite nuk është rritur kjo shumë.
Kjo fushatë organizohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e Fëmijëve me sindromën Down”, i cili implementohet nga Down Syndrome Kosova, në partneritet me Save the Children International zyra në Kosovë dhe me financim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme