Nis pagesa në Rrugën e Kombit, protestë e zbehtë

Kukës | 17 Sht 2018 | 18:04 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banorët të Kukësit e aktivistë janë mbledhur sot në qendër të qytetit për të protestuar kundër vendosjes së tarifave në Rrugën e Kombit.

Aktivisti Auron Kalaja tha se kjo protestë është vetëm fillimi i një lufte të gjatë kundër vjedhjes së qytetarëve nga kompania koncesionare Kastrati dhe qeveria Rama.

Aktivisti Kalaja u shpreh se destinacioni i protestës nga në sportelet e Kastratit në Rrugën e Kombit, u zhvendos në qëndër të qytetit pasi forcat e shumta të policisë që po qarkullojnë në Kukës kanë frikësuar qytetarët:

“Kjo protest është për të shkulur traun që ndan Shqipërinë nga Kosova. Kukësi ka qenë në shtet-rrethim këto ditë. Qytetarët janë intimiduar, ka qenë një klimë terrori.”

Të njëjtin denoncim bëri dhe deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj, i cili me anë të një videoje, tregoi forcat e shumta të policisë që qarkullonin në qytetin e Kukësit.

Po ashtu, në rrugën nga Tirana drejt Kukësit, sot ka pasur të paktën 10 posto-blloqe policie dhe forca të shumta RENEA.

Që prej mesnatës së 17 shtatorit, çdo qytetar që kalon në rrugën e Kombit do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim — përjashtohen nga kjo tarifë banorët e Kukësit, të cilët deri në 44 kalime do paguajnë 100 lekë për kalim dhe pas 44 kalimesh tarifën normale prej 5 urosh.

Për mbledhjen e tarifës, kompania Kastrati ka ndërtuar 10 sportele, të cilat sot janë rrethuar nga Forcat Speciale, për të ndaluar protestuesit.

Nis pagesa në Rrugën e Kombit, sportelet ruhen me Forca Speciale

E hëna e 17 shtatorit shënon edhe hyrjen në fuqi të tarifës për qarkullimin në Rrugën e Kombit.

E teksa ishte paralajmëruar prej ditësh fillimi i pagesës, pranë sportelit janë Forca Speciale të dërguara prej ditës në Kukës, për të evituar incidentet.

Më 31 mars të këtij viti në sportelet ku do të paguhet taksa pati protesta të dhunshme nga banorët e Kukësit të cilët parashikoheshin të paguanin të njëjtën tarifë si kalimtarët e tjerë.

Por pas një sërë negociatash është vendosur që banorët e Kukësit dhe zonave përreth saj të paguajnë një tarifë të reduktuar.

Në sportel do të behet verifikimi i targës dhe banorët lokalë do të përfitojnë tarifën e reduktuar prej vetëm 100 lekësh me TVSH. Çdo mjet që i korrespondon Qarkut të Kukësit, targat e të cilave janë futur në sistem, dhe çdo banor do të verifikohet përpara se të paguajë tarifën e reduktuar.

Ndërkohë që tarifa për automjetet e tjera do të jetë do të jetë 660 lekë (ose 5 euro).

Për të shmangur vonesat gjatë pagesës, apo radhët e automjeteve, në dispozicion të drejtuesve të tyre do të jenë 10 sportele, ndërsa banorët e Qarkut të Kukësit do të kalojnë në korsinë 1 dhe 10, me korsinë e parë në sensin Kukës-Tiranë dhe tjetra në kthim.

Për të eliminuar kostot për banorët, pjesë e skemës janë edhe 11 linja të transportit interurban që janë lincesuar në qark. Sipas firmës koncesionare, e cila do të merret me mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, përveç projekteve sociale që synojnë punësimin e mbi 200 banorëve të Kukësit, gjatë 4 viteve synohet realizimi i një sërë projektesh.

Koncesionari dhe autoriteti kontraktues kanë rënë dakord për një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë, të cilët do të pajisen me ‘Digital Pass’.

Për kategorinë ‘Përdorues të shpeshtë’, pavarësisht nga klasa e automjetit, zbritja e tarifës do të bëhet për numrin e kalimeve, pasi sistemi do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo automjet.

Sipas përllogaritjeve, gjatë një dite në Rrugën e Kombit lëvizin rreth 5.000 automjete.

Të ngjashme