Punëtorët teknikë kërkojnë rritjen e pagës, paralajmërojnë grevë

Prishtinë | 17 Pri 2019 | 11:24 | Nga ALban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka protestuar para Komunës së Prishtinës. SPSPK-ja ka kërkuar që Komuna e Prishtinës, gjegjësisht kryetari Shpend Ahmeti të mbajë fjalën e dhënë për të paguar 4% e rritjes së pagës që iu është premtuar që nga muaji janar, raporton Ekonomia Online.

Punëtorët teknik të disa shkollave , QKMF dhe sigurimi kanë shprehur pakënaqësi që janë futur në kompanitë private të kontraktuara nga Komuna, që kanë mungesë të pagave dhe ngritje të tyre si dhe mospagesë e 4% të pagave të premtuara nga Komuna.

Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi ka bërë të ditur se është hera e fundit që protestojnë, në të kundërtën nëse nuk marrin përgjigje nga java e ardhshme do të hyjnë në grevë të përgjithshme dhe do të paralizojnë Institucionet.

“Edhe një herë, për herë të fundit kemi dalë që të t’i tërheqim vëmendjen Komunës së Prishtinës që t’i zbatojë vendimet e veta që jemi marrë vesh edhe kryetari i Komunës është betuar me gojë dhe shkrim që do të bëjë pagesën e 4 për qind, por deri më tani nuk kemi ndonjë konkret. Ajo që është më aktuale është se në takimet e fundit kemi biseduar për kthimin e punëtorëve në menaxhimin e Komunës, ku kryetari ka bërë kërkesë që ne të marrim miratim nga administrata publike në lidhje me këtë, por në momentin kur kemi shkuar në Ministrinë e Administratës Publike ka dalë se Komuna e Prishtinës dhe komunat tjera nuk kanë bazë ligjore dhe që 10 vite po i mbajnë punëtoret në mënyrë jo ligjore”, tha Azemi.

Fehim Bislimi, protestues, tha se po kërkojnë të drejtat që u takojnë dhe përmbushjen e premtimeve që u janë dhënë.

“Nuk është hera e parë që kemi dalë për 4 për qind dhe kthimin e punëtoreve në menaxhim të Komunës, por siç po duket këta nuk po duan t’i kryejnë ato sene qe 1 vit e më tepër edhe pse na takojnë dhe na kanë premtuar. Ata që kanë pasur të ngjofshëm kanë mbetur në menaxhim të Komunës, ata që nuk kanë pasur kanë mbetur. Po kërkojmë të drejtat tona”, tha ai.

Fikrije Redenica, protestuese, duke kërkuar që të barazohen me të drejtat e punëtorëve në sektorin publik tha se ndihen të diskriminuar.

“Kemi dalë në protestë për shkak të rrogave të cilët në fillim kanë qenë me shtet, tash jenë në privat dhe janë të dobëta. Festat që punojmë nuk paguhen, nuk na japin ditë pushimi. Për 4 për qind na kanë premtuar, por nuk na i kanë dhënë kurrë. Në sektorin publik punëtorët kanë pushim më shumë, ne punojmë 12 orë në ditë dhe kemi vetëm 1 ditë e gjysmë pushim. Festat nuk na paguhen”, tha ajo.

Të ngjashme