Nis puna për hartimin e Projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit, shqetësuese humbjet dhe cilësia e ujit

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka themeluar grupin e punës për hartimin e nismës legjislative “Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit”.

Për të prezantuar dhe shqyrtuar planin e Performancës për vitin 2022 të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, të pranishëm ishin zv. drejtori Abedin Azizi dhe drejtori i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Licencim, Bexhet Bala.

Zv. drejtori Azizi tregoi se nga ARRU janë identifikuar 6 synime mbi të cilat është hartuar plani i punës, synime këto që lidhen me institucionalizimin e bashkëpunimit për zgjerimin dhe integrimin e disa komunave nën menaxhimin e kompanive regjionale të ujit, bashkëpunimin për avancimin e sektorit të ujit në përgjithësi dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, avancimin e kornizës ligjore dhe avancimin zbatimin e planit, këshillimin për tarifim, monitorimin e performancës së ofrimit të shërbimeve të kompanive regjionale të ujit dhe monitorimin e përmbushjes së standardeve të monitorimit për stafin dhe kompanitë e regjioneve si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë burimore dhe financiare të ARRU-së.

Mosfaturimi i rregullt, shpenzimet e rritura të stafit të ARRU-së, shpërndarja e ngadalshme e rrjetit të ujit, dallimet regjinonale në tarifimin, çështjet e TVSH-së, kalibrimi i ujëmatësve, kontratat e shërbimeve, planet potenciale për reduktimin e këtyre pengesave, ishin disa nga pyetjet dhe çështjet që u adresuan nga anëtarët e këtij komisionit.

Si rrjedhojë, drejtori zv. drejtori theksoi se janë vendosur disa caqe që sipas tyre nuk i zgjidhin të gjitha problematikat, por janë caqe të arritshme dhe që mbulohen nga kapacitet që kanë, që të reduktojnë kështu humbjet e deritanishme dhe u japin zgjidhje disa prej çështjeve tjera sfiduese të ngritura në takim.

Ndër të tjerash, z. Azizi potencoi se ndryshimet në çmime tek tarifat e ujit, vijnë si rezultat i topografisë së regjioneve e cila përcakton edhe tarifimin, meqë për disa regjione nuk duhen disa shpenzime shtesë që duhet për disa regjione të tjera, si rezultat i rrjedhjes së ujit. 

“Sa i përket cilësisë e ujit një nga kriteret që monitoron ARRU është uji. Tarifat në të gjitha kompanitë regjionale të ujit nuk janë ngritur. Në disa komuna hezitojnë të nënshkruajnë kontratë të shërbimit nga ana e konsumatorëve”.

“Një arsye pse humbjet janë kaq të larta është edhe vjetërsia e ujëmatësve”, tha Abazi.

Bexhet Bala, drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Licencim, tha se mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve është e rregulluar me ligj.

“Ne kemi komision të veçantë që merret me trajtimin e rasteve. Rreth 30 ankesa të konsumatorëve janë në muaj. Këshillat kanë qenë të themeluar nga komunat dhe nuk kanë funksionuar mirë. Kontrata e shërbimeve ne i kemi hartuar që nga vitit 2004… Përpjekjet tona janë që të realizohet sa më shpejt. 70% e konsumatorëve kanë kontratë”, tha Bala.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, tha se plani i performancës është i strukturuar mirë. “Ka dhe objektivat korresponduese, por është pak i varfër sa i përket indikatorëve”.

Por, ai pyeti se si është e mundur që 60 % e ujit të mos faturohet. Vërejtje tjetër e tij ishte që shpenzimet e stafit janë rritur vazhdimisht në kuadër të ujësjellësve.

E deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se 58% kanë qenë humbje që sipas tij i bie se është edhe diskriminuese për ata që paguajnë.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se për të janë shqetësuese humbjet dhe cilësia e ujit.

“Tjetër shqetësim janë edhe basenet artificiale që nuk menaxhohen nga askush. Duhet të jeni më rigorozë”, tha Lekaj.

Në mungesë të kuorumit votimi i kësaj pike u shty.

Ndërsa Projektligji nr.08/L-056 për mbrojtjen e konkurrencës, që në fillim të takimit, u zhvendos për shqyrtim në njërën prej mbledhjeve të ardhshme të komisionit.

Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti procedoi me shqyrtimin e kërkesës së NP KOSTT, të datëa 14.02.2022, për të cilën kërkesë ishte kërkuar këshillë juridike nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës.

Pas sigurimit të këshillës juridike, anëtarët e komisionit unanimisht u dakorduan që këtë interpretim ta përcjellin tek parashtruesi i kërkesës, përkatësisht tek NP KOSTT.

Të ngjashme