Nis punimet konferenca “FSK dhe Partnerët”

Prishtinë | 23 Tet 2017 | 18:19 | Nga

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka nisur punimet edicioni i 7-të i Konferencës “FSK dhe Partnerët”, ku po marrin pjesë atashetë ushtarakë dhe ata të mbrojtjes, përfaqësues të ambasadave të shteteve me të cilat MFSK-ja ka bashkëpunim bilateral dhe multilateral.

Punimet e konferencës i shpalli të hapura, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha i cili tha se Konferenca e 7-të ,,FSK dhe Partnerët’’ përkon me fillimin e mandatit të tij si ministër, dhe se qëllimi i tij është intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë bilateral të FSK-së dhe shteteve partnere si dhe harmonizimi i aktiviteteve që kanë për qëllim mbajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.

Gjithashtu, ministri i FSK-së foli për qëllimin e konferencës, harmonizimin e aktiviteteve si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në përputhje me konceptet euroatlantike si dhe për kërkesat dhe nevojat për rritjen e nderveprueshmerisë.

Berisha po ashtu i njoftoi ushtarakët dhe diplomatët e vendeve partnere mbi planifikimin për të ardhmen e FSK-së, ku ndër të tjera tha se kanë punuar në përgatitjen dhe planifikimin e ndryshimit të misionit, respektivisht në ngritjen e kapaciteteve tona për misionin e ri kushtetues.’’

Ndërsa gjenerali i FSK-së Rrahman Rama tha se roli i partnerëve ka ndikim të madh në avancimin e kapaciteteve të FSK-së.

Gjithashtu me nga një fjalë rasti, në punimet e konferencës u prezantuan edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral Giovani Fungo dhe drejtori i Ekipit Këshillues të NATOS për FSK-në(NALT), gjeneral brigade Ralf Hoffman.

Fungo, shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin e FSK-së.

“Gjatë mandatit tim në KFOR kemi pasur trajnime dhe ushtrime për të rritur kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë. Jemi të befasuar me profesionalizimin e FSK-së në ushtrimin ‘Shpata e Argjendtë’. Po ashtu ushtarët e FSK-së, kanë marrë pjesë në ushtrime me shumë kapacitete, se si duhet të veprojnë në situata emergjente. Po ashtu zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së, për sa i përket deminimit është bërë me shumë profesionalizëm. Ne kemi një rrjet komunikimi me të gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët janë të shpejtë dhe efektivë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme