Nis turneu informativ për garën Dig Data

Prishtinë | 19 Gus 2019 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës (MFK) mbajti sot sesionin e parë informativ të sfidës ‘DigData’, që këtë vit fokusohet në të dhënat e kualitetit të ajrit. Sesioni informativ nisi në Mitrovicë Jugore për të vazhduar tutje në Mitrovicën Veriore. Turneu informativ DIG DATA vazhdon gjatë tërë javës komunat tjera të Kosovës; Gracanicë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj dhe përfundon në Prishtinë, me 22 Gusht.

DigData është sfidë e të dhënave të hapura e cila përqendrohet në përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave gjyqësore, mjedisore dhe të fuqisë së punës nga shoqëria civile, biznesi dhe qeveria, duke promovuar kështu vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat, ndërsa gjithashtu të nxisë partneritetet prodhuese midis akterëve e lartpërmendur.   

Gentiana Mahmuti, specialiste për hapjen e të dhënave dhe qeverisje në MFK, shpjegoi se qëllimi i skemës së granteve është hapja e të dhënave të kualitetit të ajrit, qasja në këto të dhëna, si dhe përdorimi i tyre për të ndryshuar modelin e marrjes së vendimeve të bazuara në të dhëna kredibile të institucioneve të Kosovës, nga sektori privat, inovatorët, studentët, shoqëria civile dhe grupet tjera të interesit.   

Megi Pishtari, menaxhere për grante në MFK, prezentoi detajet e procesit të aplikimit për grante deri në 200,000 dollarë përmes propozimeve që adresojnë çështjen e përdorimit të të dhënave të kualitetit të ajrit – në kombinim me të dhëna tjera të shëndetit, ekonomisë, transportit, ndërtimit, apo të dhëna tjera – për t’i fuqizuar qytetarët e Kosovës që të marrin vendime të informuara nga të dhënat dhe të ndërmarrin veprime konstruktive personale dhe qytetare.    

Turneu informativ organizohet në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ARDA-RDA dhe ka per qëllim rritjen e diversitetit lokal dhe pjesëmarrjes së minoriteteve në qasje në grante.

Të ngjashme