Nisin hetimet për vdekjen e 50-vjeçarit, Spitali i Prizrenit e mohon se shpërtheu bombola e oksigjenit

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka nisur hetimet për vdekjen e 50-vjeçarit me inicialet J.Q., dje në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Familja e të ndjerit pretendon se ai vdiq si pasojë e shpërthimit të bombolës së oksigjenit, mirëpo Spitali mohon të ketë ndodhur një gjë e tillë.

Policia ka njoftuar se rasti i 50-vjeçarit është hapur si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lidhur me vdekjen e 50-vjeçarit, Spitali i Prizrenit ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të J.Q., si dhe ka mohuar shpërthimin e bombolës së oksigjenit.

“I autorizuar nga Këshilli Drejtues, unë si Drejtor Mjekësor Dr.Ali Hoti pas deklaratave të ekipes kujdestare (mjek dhe infermierëve), që janë marrë me rastin në fjalë konstatoj se gjate transferimit të pacientit në fjalë dhe gjatë transferimit në ashensor dhe askund tjetër nuk ka pas asnjë shperthim të bomboles dhe se pacienti është vendos në Mjekimin Intensiv Qendror, ku është trajtuar dhe reanimuar nga mjekët anesteziolog kujdestar”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Spitalit të Prizrenit dhënë Gazetës Express.

Tutje, Spitali konfirmon se pacienti nuk ka qenë me koronavirus, sipas mjekëve ai edhe në testimin e dytë ka dalë negativ. Ai ka qëndruar në Spital nga data 26 nëntor deri më 7 dhjetor, kur edhe ndërroi jetë.

I ndjeri para disa vitesh ka qenë me tuberkuloz, thuhet në përgjigjen e spitalit.

“Pacienti në fjalë është testuar me metodën PCR më 27.11.2020 dhe është konfirmuar negativ më 28.11.2020. Pacienti ka qëndruar në spital prej datës 26.11.2020 deri më 07.12.2020. Pacientit i është marrë testi edhe njëherë për ritestim më datën 05.12.2020 dhe me dr.06.12.2020 përsëri rezulton negative, pacienti ka qenë para disa vitesh me TBC”, bën të ditur spitali.

Spitali shton se ka sistem qendror të oksigjenit dhe i njëjti nuk përdoret në reparte, pasi “repartet janë të furnizuara me sistemin e oksigjenimit qendror”.

“Sa i përket oksigjenit spitali ka sistemin qendror të oksigjenit nga tankeri dhe ka në dispozicion 463 shtretër me oksigjen qendror dhe se bombolat për oksigjen nuk i përdorim për trajtimin e pacientëve nëpër reparte, pasi që repartet janë të furnizuara me sistemin e oksigjenimit qendror”, përfundon spitali.

Çfarë thotë policia për vdekjen e 50-vjeçarit?

“Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren është informuar se viktima J. Q., i lindur në vitin 1970 përderisa ka qenë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ka ndërruar jetë. Viktima e lartshënuar ishte nga data 27.11.2020 në Spitalin Rajonal të Prizrenit pasi i njëjti kishte komplikime shëndetësore. Mirëpo viktima ka ndërruar jetë dhe rrethanat e vdekjes janë akoma të pasqaruara”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Express.

Policia konfirmon se është duke punuar në mënyrë intensive për të hetuar dhe sqaruar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së viktimës.

Ndërsa, Zyra për Informim e Prokurorisë Themelore të Prizrenit ka konfirmuar për Gazetën Express nisjen e hetimeve për vdekjen e 50-vjeçarit.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju informojmë se jemi në fazën e grumbullimit të informacionit në lidhje me rastin në fjalë”, ka konfirmuar prokuroria.

Ndërsa, rrëfimin e familjarëve të viktimës, të cilët pretendojnë se J.Q., vdiq nga shpërthimi i bombolës së oksigjenit, dhënë për Kanal10, mund ta lexoni duke klikuar në linkun e lajmit më poshtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme