Nisin punimet për asfaltimin e rrugës tek Kompleksi Memorial i Koshares

Prishtinë | 06 Kor 2016 | 22:07 | Nga

Me financim të Ministrisë së Infrastrukturës, kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Batushë-Koshare.

Kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë duke pasur parasysh se e njëjta të dërgon tek memorali i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhet po në Koshare.

Ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku me këtë rast ka deklaruar se me asfaltimin e kësaj rruge, po tregohet për përkushtimin e qeverisë dhe të ministrisë që e drejton për ruajtjen e vlerave të cmuara që bart kjo pjesë për Kosovën.

“Të gjithë e dimë për rëndësinë që ka pasur Beteja e Koshares për rrëzimin e kufirit shqiptaro-shqiptar. Me këtë rrugë edhe një herë po tregojmë përkushtimin tonë për ruajtjen dhe kultivimin e atyre vlerave, natyrisht për ndërtimin e vendit tonë. Përpos kësaj rruge në Komunën e Gjakovës kemi disa projekte të tjera. Të gjitha ato projekte kanë nisur të punohen me ritëm të përshpejtuar këtyre ditëve të verës, kështu që besoj që shumë shpesh do të jemi në Gjakovë për përurimin e projekteve të tjera, natyrisht shpresojmë që edhe me premtimin e kompanisë kjo rrugë do të përfundoj deri në fund të tetorit”, ka deklaruat ministri, Lutfi Zharku.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar Ministrinë e Infrastrukturës për këtë investim tepër të rëndësishëm për komunën që e drejton.

“Falenderoj Ministrinë e Infrastrukturës për investimin në një rrugë tepër të rëndësishme për Komunën e Gjakovës, aksin Batushë-Koshare, për shumë arsye. E tha ministri, paraqet një prej betejave më të rëndëishme të luftës së fundit në Kosovë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një kompleks memorial, i cili ngërthen në vete histori të madhe në veçanti për faktin se Komuna e Gjakovës është komunë kufitare. Gjithashtu paraqet një potencial shumë të madh të aktivizimit të zonës, për rritjen e aktivitetit turistik, natyrisht edhe ringjalljen ekonomike. Ne si komunë qëndrojmë të gatshëm të vazhdojmë promovimin e vlerave të mirëfillta në bazë të zhvillimit ekonomik, të kthimit dhe njohjes së mirëfilltë të historisë së kësaj ane. Bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës kemi disa projekte, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me lidhjen e Komunës së Gjakovës me Republikën e Shqipërisë dhe lidhjen e Komunës së Gjakovës me komunat tjera në Kosovë. Vlen të përmendet fillimi i fazës së dytë të projektit Goden, të rrugës së Godenit që lidh Republikën e Kosovës me Shqipërinë. Gjithashtu, jemi gati në përfundim të një rruge tepër të rëndësishme, Barbaniq-Dashinoc, jemi bashkë-financues me Ministrinë e Infrastrukturës, ku pjesën më të madhe e ka financim ministria”, deklaroi e para e Komunës së Gjakovës.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe deputeti Anton Çuni.

“Jam këtu në cilësinë e veteranit që në emër të invalidëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë bashkëluftëtarëve të mi, që të falënderoj ministrin dhe gjithë bashkëpunëtorët në Ministrinë e Infrastrukturës, të parën e komunës, zonjën Mimoza Kusari-Lila, të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë projekt, duke i inkurajuar që t’i përmbahen dinamikës së punës, të përmbyllin këtë projekt sa më me sukses dhe t’i mundësojmë të gjitha familjarëve të dëshmorëve, veteranëve, invalidëve një qasje më të lehtë dhe me të sigurt deri tek Memoriali i Koshares”, deklaroi Çuni.

Projekti është mirëpritur edhe nga shumë qytetarë dhe veteran që morën pjesë në përurimin e nisjes së punimeve.

Rruga ka gjatësinë e 8.5 kilometrave dhe ka kushtuar 700 mijë euro.

Kompleksi Memorial në Koshare është një prej vendeve më të vizituara në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme