“Nisma për krijimin e ushtrisë nuk duhet të ndalet”

Prishtinë | 14 Pri 2017 | 13:53 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për krijimin e ushtrisë nuk duhet të ndalet dhe se ideja më e mirë është përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kështu u tha në tryezën me temë “Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në?”, të organizuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore për Politikat e Sigurisë (SPRC) dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshëm dhe FSK, Daut Haradinaj, ka thënë se ideja e ndryshimeve kushtetuese për të bërë transformimin e ushtrisë është e duhur dhe më e mira e mundshme, raporton Ekonomia Online.

Ai gjithashtu tha Kuvendi dhe të gjithë aktorët të cilët kanë të bëjnë me sigurinë dhe iniciatorët të cilët përkrahin transformimin e FSK-së duhet të bindin Listën Serbe për të bërë këtë ndryshim për të cilin Kosova ka nevojë tashmë të ketë ushtrinë e vet.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi, tha se Lista Serbe nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese.

“Kjo përbërje e listës serbe nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese. Nisma nga presidenti është e mirëseardhur dhe mirë që është ngritë në këtë nivel debati për këtë”, tha ai.

Ibishi theksoi se është e nevojshme që pas trasnformimit të FSK-së ushtria e Kosovës të integrohet edhe në NATO.

Zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi, ka thënë se duhet filluar debati për ushtrinë me komunitetin serb, duke theksuar se “duhet ndoshta t’i bëhet më shumë presion Listës Serbe që të vijnë në debat për të diskutuar për ushtrinë.

“Konsideroj që formimi i ushtrisë është një nevojë e cila është në të mirë të të gjithëve që jetojmë në Kosovë. Duhet të vazhdohet të diskutohet për t’u bërë ushtria dhe kjo nismë nuk duhet të ndalet me kaq”, ka thënë ai.

Deputeti nga radhët e Nismas, Haxhi Shala, ka thënë se çështja nevojës së Kosovës për ushtri nuk do diskutim, duke konsideruar që FSK-ja është e gatshme të jetë e barabartë më të gjitha ushtritë karshi NATO-s.

Ai ka thënë se edhe infrastruktura është në rregull, por sipas tij, politika ka dështuar në transformimin e FSK-së.

Shala u shpreh se nuk e di nëse Qeveria e Kosovës e ka në plan transformimin e FSK-së.

“Nëse e ka në plan është dashur të tregoj që a është në bashkëpunim me partnerin e saj me Listën Serbe. Iniciativa e Thaçit ka qenë paksa e ngutshme pasi ka munguar diskutimi me partnerët ndërkombëtarë”, tha Shala.

“Edhe pse presidenti është zmbrapsur, pavarësisht kësaj deputetët dhe aktorët e tjerë përgjegjës nuk duhet të zmbrapsen dhe të mbesin peng të Listës Serbe. Ushtria nuk guxon të jetë pengë i Listës Serbe”, ka theksuar Shala.

Deputetja Ganimete Musliu, deputete nga PDK-së ka thënë se nuk ka dilema për gatishmërinë e FSK-së për t’u bërë ushtri. Kurse sa i përket çështjes së procesit të transformimit duhet të shteren gjitha mundësitë për t’u bërë ky ndryshim.

“Të gjithë deputetët me përjashtim të Listës Serbe janë të gatshëm për votimin qoftë të ligjit qoftë ndryshimeve kushtetuese. I bëjë thirrje palës ndërkombëtare që të na ndihmojnë që të bindin Listën Serbe të votojë për një çështje e cila është e rëndësishme për Kosovën. Faktori ndërkombëtar duhet t’ua bëjë të ditur deputetëve serb që ata janë përfaqësues të qytetarëve serb në Kosovë”, ka thënë ajo.

Të ngjashme