Nitaj dhe drejtori i BERZh-it flasin për avancim të projekteve në fushën e energjisë dhe ndërmarrjeve publike

Prishtinë | 29 Jan 2021 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj ka takuar Drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Kosovë, Neil Taylor.

Temë diskutimi ishte bashkëpunimi në mes të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe BERZH-it në sektorin e ekonomisë, me theks të veçantë në atë të energjisë dhe të ndërmarrjeve publike. Nga fusha e energjisë është diskutuar procesi i rishikimit të Strategjisë së Energjisë, e po ashtu u bisedua për marrëveshjen e kredisë nga BERZH për infrastrukturën vitale që u dedikohet ndërmarrjeve publike.

Ministri Nitaj konfirmoi gatishmërinë për bashkërendim të projekteve dhe interesave afatgjatë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si një nga faktorët kryesorë në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ju jemi mirënjohës për mbështetjen e deritanishme që keni dhënë në avancimin e projekteve në fushën e energjisë, si dhe në atë të ndërmarrjeve publike, si sektorë të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Andaj shpresoj që ky bashkëpunim i mirëqenë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha ministri Nitaj.

Ndërkaq drejtori i BERZH-it për Kosovë, Neil Taylor potencoi se është i gatshëm të çojë përpara projektet që janë në proces si dhe të ndihmojë në projekte të reja që ndërlidhen me fushën e energjisë dhe sektorë të tjerë që mbulon Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe konsideroj se bashkëpunimi i ndërsjellë është garancë për realizim të projekteve të përbashkëta.

Ndryshe, Marrëveshja e Kredisë nga BERZH-i në vlerë prej 30 milionë euro ndahet në dy transhe. Transhi i parë kap vlerën 10 milionë, ku përfshihet rimbursimi i shpenzimeve që veç ka përfunduar në kuadër të Masës 4 të pakos emergjente, ndërsa vlera prej 20 milionë euro përfshihet në transhin 2, që duhet të shkojë si huazim nga Qeveria e Kosovës për ndërmarrjet publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme