Një i akuzuar pranon fajësinë për rastin “Subvencionet”, 13 të tjerë deklarohen të pafajshëm

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari Fuat Morina ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Subvencionet 1”, ndërsa 13 të akuzuarit tjerë janë deklaruar të pafajshëm.

Deklarimin rreth fajësisë 14 të akuzuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Fuat Morina, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj, e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit u pajtua prokurori nga Prokuroria Speciale, Rafet Halimi dhe të njëjtin e aprovoi gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Gjykatësi Krasniqi bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Morina do të bëhet më 2 qershor.

Lidhur me 13 të akuzuarit tjerë, gjykatësi tha se të njëjtit kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, seanca e paraparë të mbahej më 28 prill kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Salih Kelmendi.

Në seancën e 13 prillit, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar e 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pika e parë, i ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Berat Nikën, Alban Bushatin dhe Salih Kelmendin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par.2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë Luan Statovci- drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra- zyrtar për Pagesa Direkte, Berat Nika – zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi– inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126 mijë euro dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92 mijë e 500 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra, ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga paratë e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.

Tutje, në aktakuzë thuhet se në këtë drejtim vepron i akuzuari Luan Statovci, është qasur në lëndët e Shalës dhe bashkëshortes së tij dhe të gjitha shkresat e kopjuara ia ka dërguar të vëllait të tij Salih Statovci dhe në bazë të këtyre të dhënave janë nxjerrë certifikatat nga kompania “Bio-Q-Check” në emër të Shalës dhe Arlinda Seferit në mënyrë të kundërligjshme pa pasur të mbjellë bujqësi organike.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Luan Statovci në mënyrë të tërthortë ka kërkuar ryshfet përmes të akuzuarit Shkodra dhe pasi është arritur marrëveshja e plotë e ka përfshirë në listën e pagave lëndën, me ç’rast AZHB ka ekzekutuar pagesat e subvencioneve dhe pastaj Shala i kishte tërhequr të njëjtat dhe më pas i ka dorëzuar të akuzuarve Kelmendi dhe Bushati shumën prej 92 mijë e 500 euro, të cilat para këta të fundit i kanë ndalë për vete secili nga 18 mijë e 532 euro, ndërsa të akuzuarve Shkodra dhe Nika i kanë dorëzuar shumën prej 55 mijë e 475 euro, dhe këta të fundit i ndajnë me të akuzuarin Luan Statovci në Prishtinë në tri pjesë nga 18 mijë e 491 euro.

Ndërsa, sipas aktit akuzues, Shala paratë në vlerë prej 33 mijë e 800 euro, të cilat i kishte marrë në këstin e fundit nuk ka arritur t’ua dorëzonte të akuzuarve meqenëse të njëjtit janë arrestuar më 24 shkurt 2021.

Pika e dytë e cila ka 6 pika, Luan Statovcin e ngarkon me veprat penale “marrje ryshfeti”, nga nenin 421, par.3 lidhur me par.2 të KPRKS-së dhe atë në katër pikat e para të kryera në vazhdimësi, ndërsa në pikën 5 dhe 6 të kryer në bashkëkryerje.

Luan Statovci po akuzohet se nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021 në cilësinë e personit zyrtar, drejtor për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ka pranuar ryshfet në vlerë prej 189 mijë e 341 euro.

Pika 2.1 e aktakuzës ngarkon të akuzuarin Luan se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga aplikuesi për përfitimin e subvencioneve, Kastriot Berisha, me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Kastriot Berisha më 28 gusht 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për përfitimin e subvencioneve në AZHB dhe gjatë këtij muaji së bashku me Fuat Morinën takohen me të akuzuarin Salih, me të cilin janë marrë vesh se si të paraqesin kërkesë për ndërrimin e kulturës bujqësore, kinse ka të mbjellë bujqësi organike me qëllim që lënda të përfshihet në listën e pagesave në mënyrë të kundërligjshme për të cilën certifikatë të pranuar paguan 3 mijë e 500 euro dhe paratë që përfitohen në emër të subvencionit për ndërrim të kulturës do t’i ndajnë, 50% për të akuzuarin Salih dhe 50% aplikuesit.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha pasi që ka paguar 3 mijë e 500 euro më 19 nëntor 2020, ka pranuar subvencione shumën prej 105 mijë euro të nesërmen është takuar me të akuzuarin Salih dhe i ka dorëzuar 26 mijë euro, pastaj ka pranuar pjesën e dytë të subvencionit në shumën prej 140 mijë euro dhe më 11 shkurt 2021 i ka dorëzuar të akuzuarit Salih shumën prej 60 mijë euro, ku vlera totale e ryshfetit arrin shumën prej 89 mijë e 500 euro.

Pika 2.2 e aktakuzës thotë se gjatë 1 korrikut 2020 dhe 24 shkurt 2021, i akuzuari Luan Statovci në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet edhe nga aplikuesi Fuat Morina.

Siç thuhet në aktakuzë, më 12 tetor 2020 Fuat Morina pas marrëveshjes paraprake ka paraqitur kërkesë për ndërrimin e kulturës bujqësore edhe pas disa ditësh nga i akuzuari Salih ka pranuar certifikatë të lëshuar në mënyrë të kundërligjshme e për të cilën paguan 3 mijë e 500 euro dhe në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, i akuzuari Luan e ka përfshirë lëndën në listën e pagesave dhe Morina ka pranuar në llogarinë tij bankare shumën 54 mijë e 760 euro dhe pastaj më 6 nëntor 2020 përmes Kastriot Berishës ia dorëzon të akuzuarit Salih ryshfetin 27 mijë e 380 euro. Ndërsa, thuhet se pasi pranon pjesën e dytë të subvencionit në shumë 54 mijë e 760 euro, më 17 shkurt 2021 Morina dhe Berisha takohen me të akuzuarin Salih ku Morina ia dorëzon atij pjesën e dytë në shumë prej 27 mijë e 380 euro, ku gjithsej vlera e ryshfetit të pranuar arrin 58 mijë e 260 euro..

Në pikën 2.3 të aktakuzës thuhet se nga 1 korriku 2020 deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë, i pandehuri Luan Statovci me ndihmën e të akuzuarit Salih Statovci ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në mënyrë të tërthortë nga aplikuesi për subvencione Flamur Zeqiri, ashtu që duke u bazuar në të dhëna të rrejshme i akuzuari Luan e përfshin Zeqirin në listën e përfituesve dhe kur ekzekutohet pagesa në pjesën e parë në shumë prej 27 mijë e 375 euro, Zeqiri më 16 nëntor 2020, i dërgon ryshfetin të akuzuarit Luan përmes të akuzuarit Salih në shumën prej 12 mijë e 750 euro. Ndërsa, kur ekzekutohen pagesat për pjesën e dytë, Zeqiri më 9 shkurt 2021 ia dorëzon të akuzuarit Salih shumën e ryshfetit 12 mijë e 740 euro dhe posa dorëzohen paratë, i pandehuri Luan Statovci ia konfirmon Zeqirit pranimin e vlerës së ryshfetit gjithsej 25 mijë e 490 euro.

Në pikën 2.4 të aktit akuzues thuhet se më 12 shkurt 2021, në Prishtinë, në objektin e AZHB i akuzuari Luan Statovci, në mënyrë të tërthortë kërkon dhe pranon ryshfet nga i akuzuari Florim Nimonaj, në atë mënyrë që Nimonaj fillimisht aplikon në Komunën e Istogut për përfitim të subvencioneve dhe nga i akuzuari Afrim Abazaj, kërkon ndihmë që lënda e tij të përfshihet në listën e pagesave direkte. Pastaj, përmes të akuzuarit Abazaj, arrin marrëveshje me të akuzuarin Luan, që në këmbim të përfshirjes në listën e pagesave të jepet ryshfet dhe pas një kohe kur AZHB ekzekuton pagesat, i akuzuari Nimonaj i dorëzon ryshfetin të akuzuarit Abazaj, pastaj më 12 shkurt 2021, ky i fundit ia dorëzon të akuzuarit Luan në zyrën e tij shumën e ryshfetit prej 400 euro.

Tutje, në pikën 2.5 të aktit akuzues thuhet se më 19 shkurt 2021, në objektin e AZHB-së, i akuzuari Luan Statovci në bashkëkryerje me të akuzuarin Sadat Shkodra, kanë pranuar ryshfet nga Dukagjin Mavraj, përmes të akuzuarit Kushtrim Zogaj, në atë mënyrë që i akuzuari Shkodra duke kryer kontrollin administrativ gjen se lënda ka parregullsi në dokumentacion dhe e njofton Mavrajn si aplikues, më pas lidhur me këtë i akuzuari Zogaj takohet me të akuzuarin Shkodra dhe arrin marrëveshje që kjo lëndë të përfshihet në listën e pagesave në këmbim të dhënies së ryshfetit.

Pasi që ekzekutohen pagesat, Mavraj thuhet se i jep ryshfetin Zogajt dhe ky më 19 shkurt 2021 ia dorëzon në formë ryshfeti 3 mijë e 500 euro të akuzuarit Shkodra në zyrën e tij dhe nga kjo shumë, i akuzuari Shkodra 1 mijë e 800 euro i ndal për vete, ndërsa në të njëjtën ditë shkon në zyrën e të akuzuarit Statovci dhe ia dorëzon shumën prej 1 mijë e 700 euro.

Ndërsa, në pikën 2.6 të aktit akuzues thuhet se më 15 shkurt 2021, në objektin e AZHB-së i akuzuari Luan Statovci në bashkëkryerje me të akuzuarin Sadat Shkodra, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga i akuzuari Daut Kabashi, ashtu që pasi që ky i fundit kishte aplikuar për subvencione në emër të Valentina Kabashit, ishte njoftuar nga i akuzuari Shkodra se kinse ka parregullsi në dokumentacion, pastaj i akuzuari Statovci dhe Kabashi arrijnë marrëveshje që Valentina Kabashi të përfshihet në listën e pagesave për subvencione, në këmbim të dhënies së ryshfetit dhe kur ekzekutohen pagesat, Daut Kabashi si i autorizuar i tërheq paratë dhe më 15 shkurt 2021, të pandehurit Statovci ia dorëzon ryshfetin në vlerë prej 2 mijë euro dhe të njëjtën ditë një pjesë të parave në vlerë prej 500 euro, ia jep të akuzuarit Shkodra.

Në pikën e tretë të akuzës, Sadat Shkodra akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, nga nenin 421, par.1 lidhur me nenin 77 të KPRKS në pikën 3.1, ndërsa në pikat 3.2 dhe 3.3 akuzohet se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par 2 lidhur neni 31 dhe 77 të KPRK.

Shkodra akuzohet se në vazhdimësi nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet gjithsej në vlerë 23 mijë e 791 euro.

Sipas pikës 3.1 të aktakuzës, i akuzuari Shkodra, më 2 dhjetor 2020 në Prishtinë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga Agron Krasniqi në atë mënyrë që këtij të fundit i vonohet konfirmimi për aplikim për subvencione, shkon në zyrat e AZHB-së për t’u interesuar dhe takon të akuzuarin Shkodra, ku i njëjti e njofton kinse ka parregullsi në dokumentacion dhe i kërkon ryshfet në vlerë 3 mijë euro, me qëllim që të përfshihet në listën e pagesave për subvencion dhe pastaj kur janë ekzekutuar pagesat, Krasniqi i ka tërhequr ato dhe ia ka dorëzuar të akuzuarit Shkodra paratë në formë ryshfeti në vlerë 3 mijë euro.

Pika 3.2 e aktakuzës thotë se më 15 shkurt 2021 i akuzuari Luan Statovci në bashkëkryerje me të akuzuarin Shkodra në mënyrë të drejtpërdrejt kërkojnë dhe pranojnë ryshfet nga i pandehuri Daut Kabashi, ashtu që pasi që të njëjtit arrijnë marrëveshjen që Valentina Kabashi të përfshihet në listën e pagesave në kembim të dhënies së ryshfetit, kur ekzekutohen pagesat i akuzuari Kabashi si i autorizuar i terheq paratë dhe të akuzuarit Luan Statovci në zyrën e tij ia dorëzon ryshfetin në vlerë 2 mijë euro, ku i njëjti një pjesë të parave në vlerë 500 euro ia jep të akuzuarit Shkodra.

Pika 3.3 e aktakuzës thotë se më 19 shkurt 2021, i akuzuari Statovci në bashkëkryerje me të akuzuarin Shkodra pranojnë ryshfet nga Dukagjin Mavraj përmes të akuzuarit Kushtrim Zogaj, ashtu që pasi që ekzekutohen pagesat Mavraj i jep ryshfetin Zogajt, pastaj më 19 shkurt 2021 në objektin e AZHB-së i akuzuari Zogaj ia dorëzon në formë ryshfeti 3 mijë e 500 euro të akuzuarit Shkodra ku ky i fundit 1 mijë e 80 euro i ndal për vete, 1 mijë e 700 euro ia jep Statovcit.

Ndërsa, pika 4 e aktakuzës e akuzon Kushtrim Zogaj se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par. 2 të KPRKS-së.

iç thuhet në aktakuzë, nga 1 dhjetori 2020 deri më 24 shkurt 2021, i akuzuari Zogaj si zyrtar i lartë për politika bujqësore në Komunën e Istogut në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar gjithsej ryshfet në vlerë 15 mijë euro nga i akuzuari Dukagjin Mavraj me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Në pikën e 5 të aktakuzës, e cila ka 6 pika, Luan Statovci akuzohet se në vazhdim ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRKS-së.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Statovci nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke përfituar për vete dhe për të akuzuarit Flamur Zeqiri, Kastriot Berisha, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Hasan Maxharraj dhe Bekim Shala, duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë gjithsej 646 mijë e 43 euro.

Ndërsa, në pikën 6, 7, 8, 9 të aktakuzës, Sadat Shkodra, Hasan Maxharraj, Jeton Sylaj dhe Habibe Dauti thuhet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të KPRKS-së.

Sipas pikës 6 të aktakuzës, i akuzuari Shkodra edhe pse ka ditur se aplikuesi Dukagjin Mavraj nuk ka plotësuar ligjore për subvencione, pasi ka marrë ryshfet 3 mijë e 500 euro nga Mavraj përmes Kastriot Zogajt më 19 shkurt 2021, në mënyrë të kundërligjshme e kalon kontrollin administrativ dhe e procedon lëndën për pagesë dhe me këto veprime prokuroria pretendon se ai i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 15 mijë e 36 euro.

Tutje, pika e 7 e aktakuzës e ngarkon Hasan Maxharrajn me keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar dhe pika e 21 e ngarkon atë për “mashtrim me subvencione”, nga neni 324, par.3 lidhur me par.1 të KPRKS-së.

Në këto pika thuhet se Maxharraj si zyrtar për Zhvillimin e Bujqësisë në Drejtorinë për Bujqësi, në Komunën e Istogut duke përdorur të dhënat personale të motrës së tij Kumrije Maxharraj, ka aplikuar në këtë komunë për përfitimin e subvencioneve duke përdorur kontrata të falsifikuara kinse ka marrë prona me qira dhe ka nënshkruar në emrin e motrës së tij si qiramarrëse. Më pas ai është qasur në kompjuter me të dhënat e zyrtarit Granit Lubeniqi pa dijeninë e tij dhe ka vendosur në sistem lëndën në emër të motrës së tij. Pastaj, ABZH duke u bazuar në të dhënat e falsifikuara ka ekzekutuar pagesat në emrin e Kumrije Maxharrajt në shumën prej 42 mijë e 184 euro e 50 centë, të cilat para ajo i dorëzon të akuzuarit Maxharraj, me ç’rast ai i ka shkaktuar dëm RKS në vlerë 42 mijë e 184 euro e 50 centë.

Sipas pikës 8 të aktit akuzues, Jeton Sylaj në cilësinë e zyrtarit për aplikim për subvencione në Komunën e Istogut, më 28 gusht 2020 në zyrën e tij ka pranuar aplikacionin e Dukagjin Mavraj, i cili ka aplikuar për subvencione për vitin 2020 duke përdorur në mënyrë të kundërligjshme pronën e Komunës së Istogut.

Në aktin akuzues thuhet se Sylaj më pas ka vendosur këtë aplikacion në sistem edhe pse ka pasur mospërputhje në mes të digjitalizimit të parcelave, i cili është bërë në lokacion tjetër dhe fletave poseduese të tokës të marrë kinse me qira në një lokacion tjetër. Prokuroria pretendon se i akuzuari Sylaj me këto veprime i ka mundësuar Mavrajt të përfitojë subvencione në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të RKS-së në vlerë prej 15 mijë e 39 euro.

Në pikën e 9 thuhet se më 27 tetor 2020, Habibe Dauti si zyrtare për Pagesa Direkte në AZHB, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim që të përfitojë personi tjetër, në atë mënyrë që pasi që komisioni gjatë kontrollit në teren kishte konstatuar se i akuzuari Flamur Zeqiri nuk ka asgjë të mbjellë, e akuzuara edhe përkundër raportit të komisionit, më 27 tetor 2020 e ka aprovuar lëndën për pagesë në mënyrë të kundërligjshme dhe në bazë të këtij aprovimi janë hartuar vendimet për pagesë me ç’rast buxhetit të RKS i është shkaktuar dëm në vlerë 54 mijë e 750 euro.

Pika e 10 e aktakuzës i ngarkon Musa Nivokazin dhe Lulzim Hajdaraj se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrim në detyrë”, nga neni 419, par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRKS-së.

Siç përshkruhet në aktakuzë, më 2 nëntor 2020, në Istog, të akuzuarit si inspektorë teknik në bashkëkryerje kanë hartuar raport të rremë, ashtu që gjatë kontrollit në terren te fermeri Dukagjin Mavraj kanë konstatuar se ka të mbjellë kulturë grurë dhe misër, kinse çdo gjë është në rregull, duke e ditur se po përdorte në mënyrë të kundërligjshme pronën e Komunës së Istogut dhe kontrata të falsifikuara, ndërsa komisioni i AZHB-së në raportin e kontrollit ka konstatuar se ka mospërputhje në mes të vendit ku është digjitalizuar sipërfaqja në sistem dhe fletave poseduese të dorëzuara.

Me këto veprime, të pandehurit thuhet se kanë vepruar ne kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, duke i mundësuar të akuzuarit Mavraj përfitimin e subvencioneve në shumë prej 15 mijë e 39 euro.

Kurse, pika e 11 e ngarkon Salih Statovcin se në vazhdimësi e ka kryer veprën penale ndihmë nga nenin 33 në “marrje ryshfeti”, nga nenin 421, par.3 lidhur me apr.2 lidhur me nenin 77 të KPRKS-së.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Statovci nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 e ka ndihmuar të akuzuarin Luan Statovci që si drejtor për Pagesa Direkte në AZHB të marrë ryshfet nga Kastriot Berisha, Fuat Morina dhe Flamur Zeqiri, në vlerë gjithsej 173 mijë e 250 euro.

Në pikën e 12 thuhet se Alban Bushati dhe Salih Kelmendi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve” nga neni 390, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRKS-së.

Sipas aktakuzës, nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Pejë dhe në Prishtinë, dy të akuzuarit kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe kanë dorëzuar në AZHB në emër të Bekim Shalës, për ndryshimin e kulturës bujqësore nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike dhe në bazë të dokumenteve të falsifikuara ia kanë mundësuar Shalës që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë subvencion në vlerë 83 mijë e 860 euro dhe pastaj Shala i tërheq paratë nga banka dhe iu jep ryshfet dy të akuzuarve Bushati dhe Kelmendi në vlerën prej 92 mijë e 500 euro, ndërsa pjesën tjetër i ndalë për veti.

Në pikën e 13 akuzohen Almir Abdurrahmani dhe Salih Statovci se në bashkëkryerje në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “mashtrim” nga neni 323, par.1 lidhur me par.2 dhe 3 dhe lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRKS-së.

Sipas kësaj pike, dy të akuzuarit nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në bashkëkryerje në vazhdimësi, i akuzuari Abudrramani si drejtor i subjektit juridik “Bio-Q-Check” P.C, dhe i akuzuari Statovci kanë paraqitur fakte të rreme duke lëshuar certifikata për bujqësi organike-bimë mjekësore aromatike për Flamur Zeqirin, Kastriot Berishën, Fuat Morinën, Bekim Shalën, Arlinda Seferin dhe Kumrije Maxharrajn, ku këta të fundit në bazë të këtyre certifikatave në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar subvencione dhe të akuzuarit Aburrahmani dhe Statovci në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë 631 mijë e 454 euro.

Në pikën e 14 dhe 15, Daut Kabashi dhe Florim Nimonaj thuhet se kanë kryer veprën penale dhënie ryshfeti nga neni 422, par.1 të KPRKS-së, ndërsa në pikën e 16 akuzohet Afrim Abazaj për ndihmë në dhënie të ryshfetit.

Daut Kabashi thuhet se më 15 shkurt 2021, në AZHB u kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Luan Statovci dhe të akuzuarit Sadat Shkodra në vlerë prej 2 mijë euro për përfitim të subvencioneve.

Ndërsa, Florim Nimonaj akuzohet se më 11 shkurt 2021 në mënyrë të tërthortë përmes të akuzuarit Afrim Abazaj i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Luan Statovci në shumën prej 400 euro, me qëllim që të përfshihet në listën e pagesave për subvencione.

Pika e 17, 18, 19, 20 dhe 21 e akuzës i ngarkon Bekim Shalën, Kastriot Berishën, Fuat Morinën, Flamur Zeqirin dhe Hasan Maxharraj për “mashtrim me subvencione” nga neni 324, par.3 lidhur me par.1 të KPRKS-së. Ndërsa, Dukagjin Mavraj në pikën 22 ngarkohet për “mashtrim me subvencione” nga neni 324, par.1 të KPRKS-së.

Në dispozitivin e 17 të aktakuzës, Bekim Shala thuhet se ka kryer veprën penale mashtrim me subvencione, me të cilën vepër dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit dëm prej 180 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korrik 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe Pejë ka ofruar të dhëna të pasakta në AZHB duke paraqitur kërkesa në emër të vetin dhe gruas së tij për subvencion për grurë dhe misër, por pas një kohë me marrëveshje me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi, e ndryshon aplikimin e tij në bimë mjekësore aromatike dhe pajiset me certifikatë, ku më pas AZHB ekzekuton pagesat e subvencioneve për të dhe bashkëshorten e tij në shumë prej 180 mijë euro.

Në dispozitivin e 18, thuhet se nga 1 korriku 2020 deri m ë 24 shkurt 2021, Kastriot Berisha me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB, ashtu që pasi aplikon për përfitimin me subvencione më 30 shtator 2020 në Komunën e Pejës paraqet kërkesë për ndërrimin e kulturës, ku më vonë pranon nga Salih Statovci një certifikatë të lëshuar nga “Bio-Q-Check” nga Almir Abdurramani në mënyrë të kundërligjshme, për të cilën i paguan Statovcit shumën 3 mijë e 500 euro dhe më pas në bazë të kësaj ekzekuton pagesat subvencion në vlerë 105 mijë euro dhe 140 mijë e 500 euro.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se i akuzuari Berisha i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej 245 mijë e 500 euro.

Në dispozitivin 19 të aktakuzës, Fuat Morina akuzohet për mashtrim me subvencione, me çka dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 109 mijë e 502 euro.

Sipas aktakuzës, nga 1 korriku 2020 deri më 24 shkurt 2021 në Pejë, i akuzuari ka paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB, ashtu që fillimisht më 28 gusht 2020, aplikon për përfitimin e subvencionit për kulturë grurë, më pas paraqet kërkesë për ndërrim të kulturës e që më pas i akuzuari Salih Statovci i lëshon një certifikatë nga “Bio-Q-Check” në mënyrë të kundërligjshme për çka e paguan Statovcin 3 mijë e 500 euro, pastaj në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme ekzekuton pagesat në dy këste, 54 mijë e 760 euro, pastaj edhe 54 mijë e 760 euro.

Sipas dispozitivit të 20 të aktakuzës, Flamur Zeqiri dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë 54 mijë e 750 euro, ashtu që nga 1 korriku 2020 deri më 24 shkurt 2021, ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB për çka e paguan Salih Statovcin 3 mijë e 500 euro për lëshimin e certifikatës në mënyrë të kundërligjshme nga “Bio-Q-Check”, pastaj në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme ekzekuton pagesat në dy këste, nga 27 mijë e 375 euro.

Sipas pikës 21 të aktakuzës, Hasan Maxharraj dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë 42 mijë e 184 euro e 50 centë, ashtu që nga 1 korriku 2020 deri më 24 shkurt 2021, ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB duke i përdorur të dhënat e motrës së tij, pastaj në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme AZHB ekzekuton pagesat në dy pjesë 21 mijë e 750 euro dhe 20 mijë e 43 euro, në llogarinë e motrës së tij, të cilat më pas e njëjta ia dorëzon të akuzuarit Maxharraj.

Ndërsa, në pikën 22 të aktakuzës thuhet se i akuzuari Mavraj nga 1 korriku 2020 deri më 24 shkurt 2021, ka mashtruar me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në AZHB dhe në bazë të këtyre të dhënave të pasakta janë ekzekutuar pagesat e subvencioneve, ku i njëjti ka tërhequr nga banka këto mjete duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 15 mijë e 39 euro.

Të ngjashme