Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se vodhi makina për qethje dhe gjësende tjera në Mitrovicë

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të enjten, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vjedhje të rëndë dhe vjedhje të rëndë në tentativë, B.M.

Kjo masë është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Ai dyshohet se më 24 dhjetor 2019, në Mitrovicë, në sallonin për prerjen e flokëve “Te Burhani”, kishte vjedhur gjashtë makina për prerjen e flokëve dhe gjëra tjera, si dhe të njëjtën ditë kishte thyer me gurë lokalin “Hekraria Burimi”, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore, me ç` rast ishte ndezur alarmi dhe ishte zënë nga sigurimi dhe policia.

Masa e paraburgimit, të dyshuarit do t’i llogaritet nga 25 dhjetor 2019, deri me 23 janar 2020.

Fillimisht, në seancën e së enjtes, prokurorja Natasha Taniq, ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale të vjedhjes së rëndë dhe vjedhjes së rëndë në tentativë.

Taniq tha se ekziston rreziku se i pandehuri mund të përsërisë vepra të njëjta penale, prandaj sipas saj, gjykata ndaj tij duhet të caktojë masën e paraburgimit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Berat Peci, e ka kundërshtuar kërkesën e prokurores që ndaj klientit të tij, të shqiptohet masa e paraburgimit, pasi siç tha ia, është masa më e rëndë dhe e njëjta po kritikohet nga organet ndërkombëtare që bëjnë monitorimin në Kosovë.

Avokati Peci, i ka propozuar gjykatës që të caktojë ndonjërën prej masave tjera të përcaktuara sipas ligjit.

Kurse, i dyshuari e ka mbështetur deklaratën e mbrojtësit të tij dhe ka kërkuar që t`i caktohet masa e arrestit shtëpiak si masë adekuate.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 dhjetor 2019, kishte kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit për të dyshuarit B.M.

Sipas kërkesës së prokurorisë, Morava dyshohet se më 24 dhjetor 2019, në Mitrovicë, në sallonin  për prerjen e flokëve “Te Burhani”, kishte marrë gjashtë makina për prerje të flokëve si dhe gjashtë mbushës rryme së këtyre makinave, një telefon “Iphone 5”, një telefon “Nokia”, një pako me 10 copë sapunë për rroje “Arko”, një pako me pjesë rezervë të makinave, të gjitha në vlerë prej 500 euro.

Po ashtu, sipas kërkesës dyshohet se të njëjtën ditë, në Mitrovicë, i dyshuari e kishte thyer derën e hyrjes së lokalit “Hekraria Burimi”, dhe në momentin kur kishte hyrë ishte aktivizuar alarmi, me ç rast kishte arritur sigurimi dhe policia.

Të ngjashme