Një muaj paraburgim për personin që kanosi nënën dhe motrën e tij

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm gjyqtarja e procedurës – Vjollca Buzhala, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 05.04.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 05.05.2021, ndaj të pandehurit P.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: kanosje nga neni 181 par. 4 e lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit P.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

I pandehuri P.B., me datë 4 prill, në orët e pasdites në shtëpinë e përbashkët familjare, seriozisht i kanosë personat tjerë – respektivisht të dëmtuarat nënën dhe motrën e tij, me fjalë vepra apo gjeste se do të ju shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që i pandehuri P.B., i tensionuar i kanoset të dëmtuarave me fjalët se “dilni nga shtëpia, kjo është shtëpia ime, një ditë kam me ju vra të gjithëve dhe do ta kalli shtëpinë”, me ç ’rast me këto veprime tek të dëmtuarat ka shkaktuar ankthe dhe frik si dhe ua ka rrezikuar sigurinë personale,

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se masa e paraburgimit për këtë fazë është e domosdoshme dhe janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet janë në fazën fillestare dhe duhet të merret në pyetje i pandehuri, të dëgjohen të dëmtuarat lidhur me sqarimin e mënyrës dhe rrethanave në të cilën është kryer vepra penale, gjithashtu Gjykata ka marrë parasysh edhe të kaluarën kriminale të të pandehurit, gjë që vërtetohet edhe nga raporti i Policisë.

Të ngjashme