Një person i panjohur tenton t’ia djegë veturën gazetarit Shkumbin Kajtazi

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, natën e mbrëmshme është lyer me benzinë nga një person i panjohur.

Djegia e veturës është evituar nga banorët e rrugës “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, ku edhe ka ndodhur rasti, të cilët kishin parë kryesin e veprës teksa hidhte benzinë mbi veturën e Kajtazit.

Gazetari Kajtazi, në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se i gjithë ky veprim është bërë me arsyen e vetme që ta frikësojë e kërcënojë atë.

Sipas tij, ky sulm është paralajmërim për punën e tij si gazetar.

Rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës dhe ekipet e Forenzikës kanë gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina dhe ajo do të gjurmohet.

Ky është njoftimi i plotë i Kajtazit:

Të dashtun, mbrëmë u përballa me një ngjarje të ligë, ku dikush provoi të më frikësonte duke më lyer veturën me benzinë dhe duke provuar ta djegte.

Vetura ka shpëtuar falë banorëve të rrugës “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, të cilët e kishin parë personin teksa derdhte benzinë mbi veturën time dhe i kishin bërtitur e ndjekur duke thirrur Policinë. Ai iku pa e kryer misionin, ndonëse misioni ka mundur të jetë vetëm ky – frikësimi, kërcënimi e paralajmërimi.

Unë po gjendesha në një kafene në qendër të Mitrovicës, jo në ndonjë qoshe por në zemër të saj, dhe veturën e kisha lënë 50 metra tutje. Në mes të qytetit dikush e bëri këtë akt që, ndonëse kishte qëllim frikësimin e kërcënimin, e arriti vetëm këtë të dytën.

Dua të theksoj se Policia më ka njoftuar mua për rastin, e jo unë ata.

Siç u përgjigja edhe në Polici, nuk kam asnjë njeri në botë si të dyshuar. Nuk dua të paragjykoj. Veçse mendoj që, meqë nuk e kam asnjë problem personal me askënd që prej shkollës së mesme kur rriheshim si fëmijë, ky sulm është si paralajmërim për punën time si gazetar.

Sa për informacion, Policia ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu Forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina. Ajo do të gjurmohet.

Për fund, dua t’ia jap dy lajme të këqija njeriut që e bëri dhe porositi këtë gjë: 1. Vetura nuk u dogj, 2. Nuk më ka frikësuar aspak.

Dhe, dua të shtoj që, nëse kostoja e punës time është djegia e veturave, po m’u dashka të blej si shpesh të reja, sepse të ndalem s’e kam aspak nijet.

Të dashtun, mbrëmë u përballa me një ngjarje të ligë, ku dikush provoi të më frikësonte duke më lyer veturën me benzinë…

Gepostet von Shkumbin B. Kajtazi am Sonntag, 14. Juni 2020

Të ngjashme