Njësia e paraburgimit i shkakton probleme Qendrës Korrektuese në Dubravë

Prishtinë | 14 Maj 2019 | 10:30 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se njësia e paraburgimit po i shkakton probleme Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Ky është njoftimi i plot i KMLDNJ-Së:

Qendra Korrektuese në Dubravë është njëra ndër qendrat më të mëdha në rajon ku të dënuarit i shlyejnë detyrimet ndaj ligjit në bazë të një vendimi të formës së prerë të një gjykate kompetente apo , nëse pranojnë të dënuarit , atje mund të dërgohen edhe pa një vendim të formës së prerë. Kapaciteti i kësaj qendre është afërsisht për 1000 të dënuar por , me shfrytëzimin më planifikuar , në rast nevoje mund të ketë kapacitet afërsisht 1200 të dënuar. Qendra Korrektuese në Dubravë është pikënisje dhe mundësia kryesore që të dënuarit të kalojnë programin e risocializimit për t’i fituar beneficionet që iu takojnë me LESP-e sikur edhe të drejtat e tjera si falja nga presidenti  etj. Mirëpo, për të dënuarit që kanë treguar gatishmëri dhe kanë dëshmuar vullnet për risocializëm e që kanë rezultate konkrete , mundësia më e mirë është përfitimi nga Paneli për Lirim me Kusht i cili , deri vonë ka qenë shumë “ dorështrënguar “ e që ka ndikuar në demotivimin e të dënuarve e që , viteve të fundit ka përparime të mëdha në punën e këtij Paneli. KMDLNj , që nga fillimi ka kërkuar që të dënuarit duhet ta kenë një ofertë të qartë se çka përfitojnë nëse  me sjellje dhe me punë bëjnë një shkëputje nga e kaluara përmes programit të risocializimit . Në Qendrën Korrektuese në Dubravë ka kushte për shkollim fillorë dhe të mesëm sikur që ka mudësi edhe për aftësim profesional për ata që shprehin dëshirë për këtë. Ka kushte për aktivitete sportive ndërsa nuk ka ose në minimum ka kushte për aktivitete kulturore që e dallon nga qendrat tjera të rajonit. Pas disa rinovimeve është një përmirësim i kushteve fizike por se KMDLNj nuk është i kënaqur plotësisht me këtë gjendje . KMDLNj , edhe më heret ka kundërshtuar moslejimin e pakove ushqimore nga shtëpia duke e krahasuar këtë ndalesë me vendet e rajonit. KMDLNj konsideron se hiç disa vështirësive por edhe padrejtësive ( vendimet për avancim në baza nepotiste , korrupcioni aktiv dhe pasiv  , lejimi apo pengimi i transfereve sipas kërkesës së të dënuarve apo familjarëve , kontrabandimi i gjësendeve të ndaluara , kushtet e rënda të punës për stafin korrektues dhe administratën , diskriminimi i shtetasve të huaj në veçanti atyre të Shqipërisë , trajtim jo i barabartë të atyre që konsiderohen si radikalë islamikë sidomos në ndarjen e beneficioneve dhe kategorizimit , “ plakja “ e stafit korrektues  etj.),  problemet kryesore që përballet kjo Qendër Korrektuese është në lëminë e shëndetësisë , përfshirjes më të madhe të të dënuarve në punë e sidomos mbajtja e të paraburgosurve e që nuk do të duhej të lejohej në Qendër Korrektuese në Dubravë , në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë e as në Burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc.

1.            Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve: përkundër përpjekjeve të vazhdueshme , asnjëherë , për shkaqe objektive apo subjektive nuk ka arritur t’i plotësojë kërkesat dhe nevojat e personave të privuar nga liria për një trajtim shëndetësorë që parashihet me standardet ndërkombëtare . Në aspektin profesional nuk është kompletuar për faktin se ka munguar stimulimi financiar e që ka qenë i domosdoshëm nëse kemi parasysh faktin se punojnë në kushte dhe rrethana specifike dhe me një rrezikshmëri të lartë. Rastet më të rënda janë dërguar në Spitalet Rajonale dhe QKUK por se ka paraqitur problem rezervimi i termineve e që ka shkuar në dëm të shëndetit të persionave të privuar nga liria dhe ka kompromituar përpjekjet dhe vullnetin e shërbimit Shëndetësor të Burgjeve që edhe në këto rrethana nuk është se ka munguar . Ndërhyrjet politike e kanë “ masakruar “ angazhimin e Shërbimit Spitalor të Burgjeve duke promovuar një diskrimin të skajshëm ; ata që kanë pasur emër dhe shpatulla të forta , ndonëse kanë qenë shëndosh si topi , pameritueshëm kanë mrizuar nëpër spitale dhe QKUK kurse , të privuarit nga liria që kanë pasur vërtetë nevojë për trajtim , kanë pritur deri sa u ka ardhur radha e në disa raste kanë përfunduar me fatalitet. Në favor të këtij konstatimi të KMDLNj – ë tregon fakti se shumë nga stafi shëndetësorë i burgjeve është me aktakuza apo janë duke kaluar nëpër procese gjyqësore . Të fortit i kanë keqpërdorur , të fortit i kanë futur në burg ! Shërbimi shëndetësorë i Burgjeve është nën përgjegjësi të Ministrisë së Shëndetësisë .

2.            Angazhimi në punë i personave të privuar nga liria :  Qendra Korrektuese në Dubravë , me një planifikim të mirë dhe me një përkrahje institucionale i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë të mbulojë të gjitha nevojat ushqimore , jo vetëm të QKD por të gjitha institucioneve mbajtëse që janë nën përkujdesje të Shërbimit Korrektues të Kosovës përkatësisht të Ministrisë së Drejtësisë duke krijuar edhe fonde shtesë për investime brenda SHKK –ës. Në këtë drejtim ka lëvizje pozitive por të cilat nuk mjaftojnë për këndelljen ekonomike të SHKK-ës. Sipas KMDLNj –së , puna është mjeti më efikas për risocializimin e të dënuarve dhe mundësia më e mirë për fitim të beneficioneve . Privimi nga puna shumëfish diskriminon të dënuarit sikur që i shkakton probleme SHKK-ës. Po të përmbushje angazhimi në punë për personat e privuar nga liria , Shërbimi Korrektues i Kosovës , për shumicën e rasteve të riparimeve nuk do të kishte nevojë të angazhojë kompani nga jashtë , që punën e bëjnë shkel e shko e që e kemi shembullin konkret të Qendrës së Paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan . Shembull pozitiv në këtë drejtim është Qendra e Paraburgimit në Lipjan që ka bërë rinovime me forca vetanake dhe me një buxhet të vogël dhe një pjesë e Qendrës Korrektuese në Dubravë .

3.            Paneli për Lirim me Kusht :  PLK –të ka përmirësime krahasuar me më parë mirëpo është larg të qenit motivuesi kryesor për sjellje të mirë të personave të privuar nga liria për faktin se ka kritere të përçudnuara dhe që iu ka kaluar koha e përdorimit e për arsyeshmërinë as që mund të flitet sikur ; pendimi i thellë dhe i sinqertë për veprën e kryer dhe pesha e veprës. Pendimi i thellë për veprën e kryer nuk mund të matet me një deklaratë të shkruar apo me një fjalë goje . Se personi është penduar , matësi më mirë dhe mbase i vetëm është sjellja e  të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit dhe pranimi i shkallës së risocializim që lidhet ngushtë dhe mbase me të vetmin faktor , sjellja e mirë. Pesha e veprës së kryer nuk duhet të merret fare si kriter për faktin se ky kriter është përgjegjësi eksluzive e gjykatës në bazë së cilës e shqipton masën apo lartësinë e dënimit me burg efektiv. Nëse edhe në të ardhmën , pesha e krimit apo veprës merret si kriter për lirim me kusht atëherë kjo nënkupton dënim për së dyti për të dënuarin dhe demotivim i kundërligjshëm për të përfituar këtë të drejtë që fitohet në bazë të sjelljes gjatë vuajtjes së dënimit. Çfarë kuptimi dhe çfarë porosie u dërgohet personave të dënuar edhe kur në rastet kur të dënuarit i mbajnë 80% të viteve të dënimit , shkojnë disa vite në shtëpi dhe kthehen me kohë sikur që nuk bëjnë asnjë shkelje disiplinore e të tjera dhe nuk lirohen por mbahen peng i këtyre dy kritereve , që , njëra nuk matet kurse tjetra është skajshmërisht diskriminuese për faktin se e zbatoni dënimin e  dyfishtë , të parin nga gjykata kurse të dytin nga Paneli për Lirim me Kusht ?!! dhe

4.            Njësia apo Pavijoni i Paraburgimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë : Qendrat Korrektuese janë institucione ku zbatohen vendimet e plotëfuqishme të gjykatave kompetente dhe aty nuk do të duhej të kishte të paraburgosur përjashtuar këtu rrethanat e jashtëzakonshme kur mbushen kapacitetet e paraburgimit apo mbipopullim i qendrave të paraburgimit e që kjo në Kosovë nuk ka të ngjarë të ndodhë. Brenda vitit , në Kosovë numri i të të paraburgosurve dhe të dënuarve nuk e kalon shifrën prej 2000 personave ndërsa kapacitet pranuese në qendrat korrektuese ( QKD , BSL, Smrekonica dhe Qendra për të Mitur dhe Femra në Lipjan ) është minimumi 1500 vende .  Nëse e marrim parasysh kapacitetin e paraburgimit në Q.P. në Hajvali , Gjilan , Mitrovicë , Pejë , Prizren , Lipjan , BSL dhe QMF në Lipjan ) nëse ato shfrytëzohen me kapacitete të plota atëherë del se janë përafërsisht 1500 vende të paraburgimit e shkaktojnë vetëm shpenzime për mirëmbajtje . Del se Kosova aktualisht ka përafërsiht 3000 vende pranuese për personat e privuar nga liria hiç këtu Qendrat e Ndalimit Policor që janë nën përgjegjësi të Ministrisë për Punë të Brendshme përkatësisht të Policis së Kosovës e që janë në shumicën e komunave të Kosovës.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë përafërsisht janë 35 deri 40 të paraburgosur që i shkakton shumë probleme këtij institucioni korrektues , si gjatë përcjelljes së shpeshta në seanca gjyqësore ashtu edhe gjatë dërgimit në spitale rajonale dhe në QKUK. Për këtë gjithmonë duhet të ketë staf të angazhuar. Vlerësimi i KMDLNj –së është se Pavijoni i Paraburgimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë duhet të mbyllet urgjentisht sepse edhe në aspektin e sigurisë si dhe risocializues është e papranueshme që këto dy kategori të privuarve nga liria të mbahen në të njëjtin institucion për faktin se janë përjashtuese ndaj njëra – tjetrës.

Të ngjashme