Njihuni me Jusuf Fazliun, një djalë i verbër që punon në Trafikun Urban

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 08:10 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Secila punë ka sfidat e veta, por për Jusuf Fazliun puna e dispeçerit në Trafikun Urban është mjaftë e  veçantë. Edhe pse ai është i verbër, tash e katër muaj punon në këtë ndërmarrje.

Fazliu në një intervistë për Ekonomia Online mes emocionesh tregoi se si ka arritur të bëhet punëtorë i Trafikut Urban, dhe të jetë i barabartë  e të punojë sikur gjithë të tjerët.

“Trafiku Urban ka hapur konkurs dhe ne jemi informuar përmes rrjeteve sociale, njëkohësisht na ka informuar edhe shoqata në të cilën unë jam te Iniciativa e Pavarur e të verbërve dhe kemi aplikuar sikur të gjithë të tjerët me konkurs të rregullt dhe kemi pasur edhe testin me shkrim dhe intervistën me gojë, dhe falë zotit jemi pranuar dhe këtu jam që katër muaj duke punuar si dispeçer në Trafikun Urban”.

Puna për të nuk ka qenë e vështirë, pasi sipas tij, ai është ambientuar shumë lehtë edhe përkundër gjendjes së tij.

“Nuk ka qenë keq ka qenë shumë mirë, dhe fatmirësisht jam informuar me punën e kam kuptuar punën krejt dhe po punoj si krejt të tjerët”.

Ajo çfarë ka bërë që puna e Fazliut të jetë edhe më  e lehtë ka qenë raporti i mirë me stafin dhe kolegët që kanë bërë që ai të ndihet shumë mirë dhe të punojë lirshëm.

“Këtu ka qenë një staf i jashtëzakonshëm, ka qenë një staf shumë i mirë, shumë miqësor, kolektiv i jashtëzakonshëm shumë i mirë”.

Fazliu tashmë mund të konsiderohet një model për moshatarët dhe kategorinë të cilit i përket që pa marrë parasysh gjendjes fizike, nëse ke vullnet mund të ja dalësh të punosh sikur gjithë të tjerët.

Tutje ai bën apel përmes kësaj interviste që të gjitha ndërmarrjet e tjera, sikur kjo ku tashmë punon Fazliu, që të ju dalin në ndihmë, dhe të punësojnë edhe persona  të tjerë me nevoja të veçanta.

“Patjetër që duhet me ju dhënë hapësira më shumë sepse unë po flas vetëm për organizatën ku unë veproj do të thotë jemi një grup i të rinjve një elitë intelektualësh se fatkeqësisht nuk ja jep mundësinë askush, dhe nëse më lejohet me bë një thirrje që të ndjekin rrugën e kryeshefit tonë të Trafikut Urban të gjitha ndërmarrjet tjera dhe institucionet e tjera që të ju mundësojnë edhe personave të tjerë që të punojnë sepse kanë aftësi me punuar, janë të aftë për punë, por vetëm duhet me ja dhënë mundësinë”.

Të ngjashme