Norvegjia në maj i largoi nga përdorimi vaksinat e AstraZeneca-s, tash ia jep Kosovës

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Para më shumë se një muaji, Norvegjia vendosi që t’i largonte nga programi i vaksinimit dozat e kompanisë AstraZeneca për shkak të shqetësimeve rreth lidhjes së kësaj vaksine me mpiksjen e gjakut. Tani, shteti skandinav vendosi që 180 mijë doza të AstraZeneca-s t’ia dhurojë Kosovës.

“Qeveria ka vendosur që vaksina AstraZeneca nuk do të përdoret në Norvegji, madje as vullnetarisht”, deklaroi më 12 maj në një konferencë për gazetarë kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, raporton Bloomberg.

Autoritetet norvegjeze më 11 mars e pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s, pasi një numër i vogël i personave të vaksinuar, disa prej të cilëve më vonë vdiqën, u hospitalizuan me mpiksje gjaku, gjakderdhje dhe sasi të ulët të rruazave të bardha të gjakut, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Sipas një studimi të kryer në Danimarkë dhe Norvegji, u vërejt shkallë e rritur lehtë e mpiksjes së gjakut në mesin e personave që për dozë të parë e morën vaksinën e AstraZeneca-s, përfshirë trurin, në krahasim me shkallën e pritshme në popullsinë e përgjithshme.

Të martën, Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë njoftoi se ky shtet do të ofrojë mbi 180 mijë doza të vaksinës së AstraZeneca-s për Kosovën si pjesë e bashkëpunimit me Mirosllav Lajçakun dhe institucionet e BE-së.

Të ngjashme