Nrecaj: Emërimi i noterëve, tentativë për t’i rehatuar militantët partiakë

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

Hapja e konkursit për 79 zyra të reja noteriale në territorin e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë, që aktualisht udhëhiqet nga Abelard Tahiri, po kundërshtohet ashpër nga shoqëria civile e së fundmi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse qeveria në largim nuk ka të drejtë të emërojë noterë të rinj, por edhe nuk duhet t’i emërojë ata në baza partiake.

Njohësi i çështjeve të drejtësisë Anton Nrecaj, ka deklaruar se ndonëse ministri në detyrë, Albelard Tahiri, pretendon se ka nisur reformën në sistemin e drejtësisë, konkursi për emërimin e noterëve të rinj e dëshmon të kundërtën.

Kjo sepse sipas tij, përmes këtij procesi po tentohet të rehatohen njerëz të lidhur me partitë politike që janë në pushtet.

“Ministri në largim i Drejtësisë në vazhdimësi është krenuar me nismën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe në fakt konkursi për noterë dhe i gjithë procesi dëshmon të kundërtën. Kjo dëshmon se nuk ka pasur fare seriozitet në këtë iniciativë për reformim, por me shumë se kaq është tentuar që përmes këtij procesi të rehatohen njerëz të lidhur ngushtë me politikën (qeverinë në largim). Dhe me e keqja është edhe deklarimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili konstaton se nuk ka pasur konflikt të interesit”, ka thënë Nrecaj.

Sipas tij, kërkesa e shoqërisë civile për anulim të këtij procesi është legjitime dhe rrjedhimisht do të duhej që Prokuroria Shtetërore të hapë hetime për këtë rast, shkruan Gazeta Zëri.

“Sidoqoftë, konsiderohet edhe nga shoqëria civile se ky proces duhet të anulohet dhe se patjetër duhet të insistohet që të anulohet e të shpresojmë se ministri i ardhshëm do ta anulojë këtë proces. Por në ndërkohë Prokuroria e Shtetit duhet t’i nisë hetimet ‘Ex Officio’ për gjithë procesin, gjë për të cilën nuk pres se do ta bëjë. Thënë më shkurt, ky proces duhet patjetër të anulohet, sepse është i jashtëligjshëm dhe ka elementë të korrupsionit”, ka potencuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme